Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka vizituar sot Zyrën Doganore Posta në Shkup, ku është njohur nga afër me punën e përditshme të punonjësve dhe sfidat me të cilat përballen në kontrollin e dërgesave postare.

Dauti bëri të ditur se vetëm gjatë dy muajve të fundit, përmes këtij terminali kanë hyrë në vend mbi 1.900 dërgesa postare.

Ai veçoi edhe një rast të muajit qershor të këtij viti, kur në këtë terminal u parandalua kontrabandimi i lëndëve narkotike, konkretisht metamfetaminës dhe kokainës, të cilat ishin fshehur brenda DVD-ve dhe CD-ve në dërgesat postare.

Sipas Dautit, ky rast dëshmon rëndësinë e punës doganore jo vetëm në kontrollin e dërgesave, por edhe në mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.

Ai theksoi se siguria e dërgesave postare dhe lufta kundër kontrabandës mbeten prioritete të Drejtorisë së Doganave.