Toshkovski nga Budva: Maqedonia po merr përgjegjësi për sigurinë evropiane, kërkohet njohje e kontributit të saj
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar në Forumin Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, i cili u mbajt në Budva të Malit të Zi, se Maqedonia tashmë po luan një rol aktiv në mbrojtjen e sigurisë evropiane informon Tetovasot.
Në takimin ku morën pjesë ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe agjencive të sigurisë, Toshkovski theksoi se vendi nuk pret anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të treguar përgjegjësi.
“Ne nuk presim të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian për të vepruar me përgjegjësi ndaj sigurisë evropiane. Këtë përgjegjësi tashmë e marrim përmes policisë kufitare, operacioneve të përbashkëta me Frontex-in, luftës kundër rrjeteve të kontrabandës dhe harmonizimit me politikat evropiane”, tha Toshkovski.
Sipas tij, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar 29 për qind më shumë tentativa për kalim ilegal të kufirit krahasuar me vitin paraprak. Në të njëjtën periudhë janë zbuluar 23 raste të kontrabandimit me gjithsej 144 migrantë, ndërsa janë ndërmarrë masa penale ndaj 38 autorëve.
Ministri veçoi bashkëpunimin me agjencinë evropiane Frontex, duke theksuar se operacioni i përbashkët me policinë maqedonase, i nisur në kufirin jugor në vitin 2023, tashmë është zgjeruar edhe në kufirin verior, ndërsa po përgatitet zgjerimi edhe në kufirin perëndimor.
“Bashkëpunimi me Frontex tregon se Maqedonia ka kapacitet dhe vullnet politik për të marrë përgjegjësi, por gjithashtu tregon se investimi në kapacitetet tona kufitare është investim direkt në sigurinë e përbashkët evropiane”, theksoi Toshkovski.
Në fokus të forumit ishte edhe lufta kundër formave moderne të kriminalitetit në epokën digjitale. Toshkovski paralajmëroi për rritjen e kërcënimeve nga krimi kibernetik, mashtrimet online, keqpërdorimi i kriptovalutave dhe përdorimi i inteligjencës artificiale për qëllime kriminale.
Ai bëri të ditur se në kuadër të MPB-së është formuar një njësi e specializuar për hetime të keqpërdorimeve të fëmijëve në internet dhe hetime nga burime të hapura, me qëllim forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën digjitale.
Në margjinat e forumit, Toshkovski zhvilloi takim edhe me drejtoreshën ekzekutive të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azil (EUAA), Nina Gregori, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dhe harmonizimin e sistemit kombëtar të azilit me standardet evropiane.
Pjesëmarrja në Budva, sipas MPB-së, ishte mundësi për prezantimin e rezultateve të policisë maqedonase dhe forcimin e rolit të vendit si partner aktiv në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.TetovaSot


