në tregun e punës dhe përbën një bazë të mirë për avancim akademik
Shkolla e mesme „Dimitar Vllahov“ në Shkup nga sot ka një kabinet modern të parukerisë
dhe kozmetikës, i dedikuar për zhvillimin e mësimit praktik për nxënësit e drejtimit –
shërbime personale. Hapësirat ekzistuese janë rinovuar plotësisht dhe janë pajisur me mjete
bashkëkohore, përmes një investimi prej rreth 3,5 milionë denarësh, të siguruar nga Ministria
e arsimit dhe shkencës, Qyteti i Shkupit dhe shkolla.
Në përurimin e kabinetit për mësim praktik ishte e pranishme sekretarja shtetërore në
MASH, Elena Ivanovska, e cila shprehu bindjen se arsimimi i nxënësve në këto hapësira do
të jetë interesant, pasi ata do të punojnë në kushte reale dhe do të fitojnë e zhvillojnë më tej
shkathtësi cilësore, me të cilat në të ardhmen do të mund të dallohen dhe të jenë profesionistë
të suksesshëm në fushën e tyre.
“Besoj se ky shembull do të shërbejë si nxitje edhe për komunat dhe shkollat e tjera
profesionale që të vazhdojnë të investojnë në avancimin e kapaciteteve arsimore dhe në
krijimin e kushteve bashkëkohore për mësim praktik, ndërsa Ministria, natyrisht, do të
vazhdojë t’i mbështesë ato në përputhje me mundësitë buxhetore”, tha Ivanovska.
Theksoi se arsimi profesional është në zhvillim e sipër dhe sot përbën njërën nga pikat e forta
të sistemit arsimor maqedonas. Ai është tërheqës për të rinjtë, sepse ata shohin mundësi për
një përfshirje të shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës, ndërsa atyre që dëshirojnë të
avancojnë më tej në aspektin akademik, u ofron një bazë të mirë për këtë.
“Këtë vit, nga 16.000 nxënës, gati 11.400 u regjistruan në vitin e parë në shkollat e mesme
profesionale, që përbën mbi 70% të gjeneratës. Kjo është evidentuar edhe në raportin e
komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, si një nga objektivat e realizuara të
agjendës së Reformave. Kemi 3.200 nxënës në paralele të arsimit profesional me mësim
praktik . Këto shifra janë tregues i qartë i interesimit të madh për arsimin profesional”, shtoi
Ivanovska.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume