Gratë përbëjnë rreth 70 për qind të të diplomuarve në shkencat natyrore dhe matematikë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa më shumë se gjysma e studiuesve në vend janë gra. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në teknologji është dukshëm më e ulët: gratë përbëjnë rreth 33 për qind të të diplomuarve në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, si dhe më pak se një të katërtën e fuqisë punëtore në sektorin e TI-së. Këto dallime ishin në fokus të diskutimit të djeshëm në panel, “Kush e kodon të ardhmen? Vajzat në STEM” (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), i mbajtur në kampusin e FINKI-t në Shkup.

Ngjarja ishte pjesë e fushatës “Vishe ndryshimin” (Wear the Change) dhe karavanit kombëtar, të iniciuar nga Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian. Diskutimi ngriti çështje që lidhen me pengesat sistemike dhe institucionale, stereotipat dhe pabarazitë që ndikojnë në qasjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM.

Edhe pse gratë përbëjnë shumicën e të diplomuarve në shkencat natyrore dhe matematikë dhe më shumë se gjysmën e studiuesve, dallimi në profesionet teknologjike mbetet i dukshëm. Mbështetja e kufizuar, ndjenja se nuk u përkasin këtyre fushave dhe mungesa e shembujve të dukshëm të grave në STEM shpesh ndikojnë në zgjedhjet arsimore dhe profesionale të vajzave dhe grave.

Në diskutimin në panel morën pjesë ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström, Marijana Ilovska Zlatanovski, drejtoreshë ekzekutive për inovacione digjitale në Intertec.co dhe drejtoreshë për partneritete në Women in Tech North Macedonia, prof. dr. Ana Poçeva Panovska nga Fakulteti i Farmacisë pranë UKIM-it, mbajtëse e patentës së parë të UKIM-it në fushën e kimisë medicinale për molekula hibride me potencial për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, si dhe Nevenka Kitevа Rogleva, profesoreshë në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit pranë UKIM-it. Diskutimin e moderoi Andrea Ugrinoska nga “Tiiiit! Inc.” – Shkup.

Ana Poçeva Panovska foli për ndryshimet në farmaci dhe mundësitë për arsimim dhe zhvillim profesional të grave.

“Para më shumë se njëqind vjetësh, farmacia ishte profesion ku dominonin burrat. Sot, më shumë se 90 për qind e studentëve në fakultetin tonë janë vajza. Ky ndryshim tregon se çfarë ndodh kur grave u hapen mundësitë për arsimim dhe zhvillim profesional”, prof. dr. Ana Poçeva Panovska nga Fakulteti i Farmacisë pranë UKIM-it.

Marijana Ilovska Zlatanovski u ndal te rritja e numrit të grave në teknologji dhe te sfidat që lidhen me pjesëmarrjen e tyre në pozita udhëheqëse.

“Me kalimin e viteve, numri i grave në teknologji u rrit ndjeshëm, por më pas u shfaq një pyetje e re: çfarë bëjmë me gratë në pozita udhëheqëse në botën e teknologjisë? Gëzohem që sot po punojmë për t’i kapërcyer këto barriera dhe për t’i inkurajuar vajzat të marrin më shumë iniciativa. Padyshim që ka përparim, por ka ende shumë punë për të bërë”, Marijana Ilovska Zlatanovski, drejtoreshë ekzekutive për inovacione digjitale në Intertec.io dhe drejtoreshë për partneritete në Women in Tech North Macedonia.

Ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström, foli për investimet afatgjata në arsim, hulumtim dhe inovacion, si dhe për mbështetjen e të rinjve.

“Suksesi i Suedisë në STEM nuk ndodhi brenda natës. Ai është rezultat i investimeve ndër breza në arsim, hulumtim, inovacion dhe te njerëzit. Mesazhi im për vendimmarrësit në Maqedoninë e Veriut është të bëjnë të njëjtën gjë: të investojnë më shumë në arsim, në STEM dhe, mbi të gjitha, te të rinjtë. Besoj se e ardhmja e këtij vendi, e rajonit dhe e botës varet në masë të madhe nga e reja që sot është 20 vjeçe, që pyet veten se çfarë vjen më pas dhe vendos se cilën rrugë do të ndjekë”, N.E. Ola Sohlström, ambasador i Mbretërisë së Suedisë.

Prof. dr. Nevenka Kitevа Rogleva theksoi rëndësinë e interesit, njohurive, arsimimit dhe mbështetjes për vajzat që dëshirojnë të orientohen drejt shkencës dhe teknologjisë.

“Vij nga fusha e energjetikës, e cila tradicionalisht konsiderohet profesion për burra. Por, rruga ime profesionale tregon se interesi, njohuritë dhe baza e mirë arsimore janë shumë më të rëndësishme se stereotipat gjinorë. Mbështetja nga familja dhe mësimdhënësit është veçanërisht e rëndësishme që vajzat e reja të inkurajohen ta ndjekin interesin e tyre për shkencën dhe teknologjinë”, prof. dr. Nevenka Kitevа Rogleva, Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FEIT), UKIM.

Pas panelit, publiku mori pjesë në një sesion me pyetje dhe përgjigje.

Kur vajzat dhe gratë nuk kanë kushte të barabarta për ta zhvilluar potencialin e tyre, shoqëria humb mundësi për inovacion, këndvështrime të ndryshme dhe zgjidhje më efikase. Hapja e diskutimeve për pengesat dhe mbështetjen në STEM është pjesë e përpjekjeve për ta zvogëluar hendekun gjinor në këto fusha.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume