Mjekët e Spitalit të Kumanovës paralajmërojnë se kanceri i gjirit po zbulohet edhe te paciente më të reja se 40 vjeç, ndaj bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta dhe diagnostikim në kohë.

Në Kabinetin për Gjirin dhe Mamografinë, çdo ditë kontrollohen deri në tetë gra përmes sistemit „Termini Im“, ndërsa pranohen edhe paciente që kanë nevojë për diagnostikim urgjent.

Mjeku Bilalli thekson se shumica e ndryshimeve në gji janë beninje, por konstatohen edhe raste të reja të kancerit. Ai rekomandon që kontrollet të fillojnë nga mosha 35-vjeçare, veçanërisht te gratë me predispozita gjenetike.

Një nga shenjat që kërkon kontroll të menjëhershëm është shfaqja e një kokrre pa dhimbje në gji. Vëmendje duhet t’u kushtohet edhe tërheqjes së thithkës dhe ndryshimeve në lëkurën e gjirit.

Diagnostikimi bëhet përmes ekografisë dhe mamografisë. Mjekët apelojnë që frika nga ekzaminimi të mos i pengojë gratë të kërkojnë ndihmë në kohë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume