Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar veprimtarit dhe ish-funksionarit Tahir Hani, ku ka kujtuar rrugëtimin e tyre të përbashkët mbi katër dekada dhe kontributin e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe institucioneve.

Ahmeti theksoi se Tahir Hanin e kishte njohur për më shumë se 40 vjet, duke ndarë me të të njëjtat ideale dhe angazhimin në kuadër të Lëvizjes Kombëtare, e cila kulmoi me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Ai kujtoi se pas themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Hani ishte pjesë e pandashme e kësaj partie politike deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Gjatë karrierës së tij, Tahir Hani ushtroi disa funksione të rëndësishme institucionale, duke shërbyer si deputet në Kuvend, ministër dhe zëvendësministër në pushtetin ekzekutiv, si dhe zëvendëssekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin e tij në hapësirat e Universitetit „Nënë Tereza“ në Shkup, Ali Ahmeti veçoi edhe kontributin e Tahir Hanit në themelimin e këtij universiteti dhe sigurimin e hapësirave në ish-kazermën „Ilinden“, ku sot zhvillon veprimtarinë ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Sipas Ahmetit, kontributi i Tahir Hanit nuk matet vetëm me funksionet që ka ushtruar, por mbi të gjitha me idealet të cilave u shërbeu, përgjegjësinë që dëshmoi dhe gjurmët që la në jetën politike, kombëtare dhe institucionale.

„Miku im i shtrenjtë, Tahir, kujtimi për ty do të mbetet i gjallë, ndërsa vepra dhe kontributi yt do të jenë pjesë e historisë sonë të përbashkët“, ka shkruar Ahmeti, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: „Lavdi jetës, veprës dhe kontributit të Tahir Hanit!“.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume