Mickoski: Pjesa e provimit të jurisprudencës me simulim të procesit gjyqësor do të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se nuk do të lejohet që i gjithë provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe, duke sqaruar se zgjidhja që do t’i dorëzohet Qeverisë do të përmbajë dy pjesë informon Tetovasot.
Sipas deklaratave të tij, kandidatët do të mund të japin pjesën e provimit që lidhet me studimet e tyre universitare në gjuhën në të cilën kanë përfunduar arsimin e lartë. Në Maqedoninë e Veriut, sipas Mickoskit, studimet zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.
Por pjesa e provimit të jurisprudencës ku simulohet një proces gjyqësor, përkatësisht pyetjet nga procedura penale dhe civile, sipas kryeministrit do të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
“Qëndrimi i Qeverisë është se gjuha maqedonase duhet të jetë gjuhë e përbashkët në sistemin gjyqësor, sepse kjo lidhet me sundimin e së drejtës dhe jo me çështje politike”, ka deklaruar Mickoski.
Deklarata vjen pas debatit të hapur në opinion lidhur me mundësinë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, çështje që ka shkaktuar reagime të shumta politike.
Tetovasot do të ndjekë zhvillimet e mëtejshme rreth këtij vendimi dhe reagimet e partive politike shqiptare.