Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë në Shkup, Shkëlqesinë e Tij Alper Aktaş, me rastin e fillimit të misionit të tij diplomatik.
Gjatë këtij takimi, u vur re se miqësia tradicionale ndërmjet dy vendeve përbën një bazë të fuqishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në sektorin e drejtësisë, ku shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës mbetet me rëndësi të veçantë për avancimin e reformave.
Në fokus të diskutimeve ishin zgjerimi i bashkëpunimit institucional, trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, shkëmbimi i ekspertëve si dhe realizimi i projekteve të përbashkëta, përfshirë mbështetjen përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Gjithashtu, bashkëbiseduesit u ndalën te rezultatet dhe diskutimet e zhvilluara gjatë Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll, të cilat kanë hapur perspektiva të reja për iniciativa të përbashkëta.
Ministri Shasivari theksoi se vlera e partneriteteve ndërkombëtare matet me rezultate konkrete, duke shprehur përkushtimin e plotë që miqësia me Turqinë të përkthehet në projekte që forcojnë institucionet, rritin efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe garantojnë sundimin e ligjit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume