Inspektimi i jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Gjevgjeli nuk ka konstatuar dështime në veprimin e institucionit në rastin e Biljana Kirikj, 17-vjeçares nga Bogdanci, e cila u vra nga partneri i saj.

Sipas gjetjeve të inspektorëve për mbrojtje sociale, Qendra ka vepruar brenda kompetencave ligjore dhe ka marrë masa për mbrojtjen e të miturës.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informojnë se më 2 tetor Qendra ka marrë njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme për një ngjarje të datës 30 shtator. Po atë ditë është kontaktuar babai i vajzës, ndërsa më 5 tetor janë zhvilluar biseda me të dhe me Biljanën, ku janë marrë deklarata me procesverbal. Babai ka dhënë pëlqimin për fillimin e procedurave të mëtejshme për mbrojtjen e saj.

Të nesërmen është thirrur në bisedë edhe 21-vjeçari Viktor, të cilit i janë treguar pasojat e sjelljes së dhunshme. Pas vlerësimit të rrezikut, Qendra menjëherë ka paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për shqiptimin e masave të përkohshme mbrojtëse, mes të cilave ndalim i kërcënimeve, keqtrajtimit, shqetësimit dhe kontaktimit me vajzën, si dhe ndalim i afrimit më afër se 100 metra.

Më 16 tetor gjykata i ka shqiptuar masat e kërkuara me kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Nga Ministria dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se pas shqiptimit të tyre nuk ka pasur denoncim për shkelje.

Pavarësisht përfundimit të inspektimit, publiku vazhdon të kërkojë sqarim të plotë të rastit dhe përcaktim të përgjegjësisë eventualë të institucioneve. Pas protestave në Bogdanci dhe Shkup, qytetarët kërkojnë përgjigje për rrethanat që çuan në vdekjen e vajzës 17-vjeçare.

Përgjigje shtesë priten edhe nga rezultatet e autopsisë, të cilat duhet të sqarojnë shkaqet dhe rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Biljana Kirikj.