Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë deri më tani sinjalin më të qartë se intensifikimi i diplomacisë mund të parandalojë një tjetër valë të madhe luftimesh me Iranin, pas rezultateve katastrofike të partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit.
Trump i tha CNN-it të dielën se sulmet e reja ushtarake amerikane janë “shumë pak të mundshme” nëse Teherani bën përparim drejt një marrëveshjeje për programin e tij bërthamor dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ai i tha gjithashtu emisionit “60 Minutes” të CBS-it se “nuk po kërkon” përshkallëzimin e luftës.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë negociuar në heshtje për një marrëveshje të ndjeshme, e cila mund ta parandalojë rikthimin e një lufte në shkallë të plotë dhe të hapë rrugën për bisedime më të gjera.
Por shpresat për një marrëveshje po zbehen nga Washingtoni, ku sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha të dielën se “nuk do të thosha se jemi në prag të një përparimi vendimtar”. Trump gjithashtu e ka bërë të qartë se opsioni ushtarak mbetet në tryezë.
Të dyja palët dhe Katari, i cili po ndërmjetëson, kanë zbuluar pak për diskutimet, edhe pse aktiviteti diplomatik është përshpejtuar që nga zgjedhjet e mesmandatit të së martës.
Çfarë ka ndryshuar që nga zgjedhjet e mesmandatit?
Humbjet e republikanëve në zgjedhje i kanë shtuar një dimension tjetër negociatave, pasi zëvendëspresidenti JD Vance tha më pas se lufta ishte ndër arsyet pse republikanët humbën.
Trump i tha emisionit “60 Minutes” se nuk ishte dakord me vlerësimin e Vance, duke pranuar se votuesve “nuk u pëlqente lufta”. Por ai e mbrojti fuqishëm vendimin për ta sulmuar Iranin, duke thënë se, nëse do t’i duhej ta merrte përsëri atë vendim, përgjigjja e tij do të ishte “një po e fuqishme”.
Ndërkohë, Irani është përpjekur t’i përdorë rezultatet e zgjedhjeve për të forcuar pozicionin e tij negociues. “Votuesit amerikanë kanë bërë zgjedhjen e tyre. Është koha që Shtëpia e Bardhë ta bëjë të vetën”, tha të dielën ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi.
Trump vazhdon të shfaqë besim në pozicionin ushtarak të SHBA-së, ndërsa Irani ka kërcënuar vazhdimisht se do ta zgjerojë luftën gjeografikisht nëse sulmohet përsëri.
Çfarë po diskutohet?
Të dyja palët kanë disa kërkesa kyçe, të cilat në letër janë të papranueshme për palën tjetër.
Trump kërkon eliminimin e programit bërthamor të Iranit, të cilin Teherani e konsideron çështje të sovranitetit kombëtar.
Publikisht, Irani po mban një qëndrim sfidues, duke këmbëngulur se nuk do të negociojë me Washingtonin për programin bërthamor dhe as nuk do ta rihapë Ngushticën jetike të Hormuzit, nëse nuk plotësohen shtatë parakushte – përfshirë përfundimin e luftës në “të gjitha frontet” dhe heqjen e bllokadës detare. Hollësitë ende nuk janë bërë publike.
Qindra kilogramë uranium i pasuruar – materiali i nevojshëm për prodhimin e një arme bërthamore – mbeten të fshehura diku në Iran. Teherani e ka përdorur këtë rezervë si mjet presioni në bisedimet me SHBA-në. Raportimet tregojnë se Uashingtoni dëshiron që uraniumi të hollohet ose të transferohet në një vend tjetër për t’u ruajtur në mënyrë të sigurt. Nuk dihet se deri ku kanë përparuar të dyja palët në këtë pikë.
Irani ka këmbëngulur se programi i tij bërthamor shërben për prodhimin e energjisë dhe jo për qëllime ushtarake.
Për Iranin, përveç moslëshimit pe lidhur me programin e tij bërthamor apo Hormuzin, ka edhe objektiva të rëndësishëm ekonomikë.
Si një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, Irani e ka pasur gjithnjë e më të vështirë shitjen e naftës bruto në tregjet globale për shkak të sanksioneve amerikane. Miliarda dollarë të aseteve iraniane, të mbajtura në banka të huaja, gjithashtu mbeten të ngrira. Uashingtoni duket se po shqyrton lehtësimin e këtyre kufizimeve, një lëvizje që mund ta ndihmojë Teheranin të zbusë presionin e rëndë ekonomik mbi popullsinë e tij, në kushtet e inflacionit rekord.
Irani kërkon gjithashtu kompensim nga SHBA-ja për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, dhe komandantëve të tij të lartë ushtarakë nga SHBA-ja dhe Izraeli në fillim të luftës, në shkurt.
Katari po ndërmjetëson mes dy palëve dhe po qarkullon një dokument kornizë, të cilin Uashingtoni dhe Teherani po e ndryshojnë. Procesi ka vazhduar prej javësh, ndoshta muajsh, por është intensifikuar ditët e fundit për shkak të frikës nga sulme të reja.
Çka po e pengon marrëveshjen?
Deri më tani, asnjëra palë nuk ka qenë e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj.
Para se të nisej të dielën për takimin e ministrave të Jashtëm të Grupit të Shtatë vendeve në Paris, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, la të kuptohej se të dyja palët ishin ende larg një marrëveshjeje.
“Për momentin, bisedimet nuk kanë qenë shumë produktive, sepse kërkesat e Iranit nuk janë thjesht të papranueshme, por në disa raste janë skandaloze, qesharake dhe vërtet jorealiste”.
Pas raundeve të njëpasnjëshme të konfliktit të hapur, besimi i Teheranit te Uashingtoni pothuajse është zhdukur. Irani nuk e ka harruar se konflikti nisi ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet bërthamore me SHBA-në.
Irani është i shqetësuar se heqja dorë nga çfarëdo mjeti presioni mund t’i nxisë SHBA-në dhe Izraelin të sulmojnë përsëri, duke e lënë atë të ekspozuar dhe pa mjete efektive negociuese. Nëse Irani sulmohet pasi ta hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të heqë dorë nga kontrolli mbi uraniumin e pasuruar, ai do të mbetej edhe më i ekspozuar dhe në një pozicion më të dobët negociues.
Trump po përpiqet të balancojë marrëdhëniet e tij me partnerët arabë dhe Izraelin – të cilët të dy e shohin Republikën Islamike si kërcënim – dhe përballet me kritika nëse tërhiqet nga lufta pa një lëshim të madh nga Irani. Teherani dëshiron gjithashtu të mbrojë përfaqësuesit dhe aleatët e tij rajonalë në Liban, Irak dhe Jemen. Këto milici kanë luftuar në emër të Republikës Islamike në rajon dhe janë besnike ndaj Teheranit, por gjatë tre viteve të fundit janë përballur me kërcënime ekzistenciale.
Në shtator, aleatët e Iranit në Jemen, rebelët Huthi, nisën një ofensivë të befasishme, duke pushtuar një tjetër pikë kyçe të kalimit detar në Detin e Kuq – Bab al-Mandeb – dhe duke i dhënë Teheranit ndikim të mundshëm mbi një tjetër rrugë ujore. Që atëherë, Huthitë i kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, si përgjigje ndaj mbështetjes ushtarake që Riadi i ka dhënë qeverisë së Jemenit.
SHBA-ja dëshiron që Irani të mos ketë kapacitete për të ndërtuar një armë bërthamore, përfshirë pajisjet e avancuara që mund t’ia mundësojnë këtë.
Fqinjtë arabë të Iranit janë të ndarë lidhur me çdo marrëveshje që do t’i jepte Teheranit tepër pushtet dhe do ta konsolidonte hegjemoninë që ai synon. Irani dëshiron ta administrojë Ngushticën e Hormuzit, korridorin detar përmes të cilit shtetet e pasura arabe eksportojnë pjesën më të madhe të naftës dhe gazit të tyre. Kontrolli i kësaj rruge ujore do t’i jepte Teheranit ndikim vendimtar mbi atë që hyn dhe del nga rajoni. Edhe kjo do të ishte në kundërshtim me kërkesat e SHBA-së, e cila dëshiron që rrugët ujore të mbeten të hapura dhe nuk do të dëshironte të konsolidonte një nga përfitimet kryesore të Iranit nga lufta.
Pra, a do të rifillojë lufta?
Ka pasur disa sulme, por të dyja palët i kanë minimizuar ato, çka ndoshta është shenjë se asnjëra nuk dëshiron t’i prishë negociatat.
Disa media raportojnë se bisedimet mes dy palëve janë afruar më shumë drejt një marrëveshjeje. “The New York Times” ka bërë të ditur se Irani është i gatshëm të rifillojë negociatat bërthamore.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim të pavarur, por çdo lëshim nga Irani lidhur me programin e tij bërthamor, apo edhe gatishmëria për ta diskutuar këtë çështje, do të konsiderohej përparim vendimtar.
Megjithatë, pavarësisht raportimeve për përparim, rreziku i një lufte në shkallë të plotë mbetet real. SHBA-ja ende ka një prani të gjerë ushtarake në Lindjen e Mesme, e cila mund të nisë një sulm të madh me urdhër të Trumpit.
Anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit me naftë dhe gaz vazhdojnë të jenë objekt sulmesh iraniane.
SHBA-ja po ofron një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për informacione mbi programin bërthamor të Iranit dhe ka krijuar një task-forcë që synon ta pengojë Teheranin të përdorë rrugët tokësore për transportimin e armëve të avancuara dhe materialeve të tjera – shenja se Uashingtoni po e intensifikon presionin, në vend që ta lehtësojë atë.
Ndërkohë, linjën e ashpër në Iran po e shfrytëzojnë ata që besojnë se Teherani tashmë ka dalë fitimtar nga lufta me SHBA-në, duke kërkuar që Trumpi të paguajë një çmim më të lartë për t’u tërhequr nga konflikti, pas humbjeve të tij në zgjedhjet e mesmandatit. Nëse një marrëveshje arrihet nga udhëheqësit iranianë me prirje më reformiste, të përfshirë në bisedime, ata mund të përballen me kundërshtime brenda vendit.
Gjatë javëve të fundit, komandantët ushtarakë iranianë i kanë intensifikuar paralajmërimet, duke pretenduar se Irani zotëron armë të afta të godasin më shumë objektiva dhe të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha se më parë.
Pra, edhe nëse Trumpi është i gatshëm të arrijë një marrëveshje, është larg të qenit e qartë nëse Irani është i gatshëm ta pranojë atë.