Kriza klimatike kërcënon prodhimin e bananeve në Amerikën Latine/ Fermerët kërkojnë rritje të çmimeve për të përballuar humbjet nga fenomeni El Niño
Prodhuesit e bananeve në Amerikën Latine po kërkojnë kushte më të favorshme tregtare dhe pagesa më të larta, pasi ndryshimet klimatike dhe kushtet ekstreme të motit po shkaktojnë rënie të ndjeshme të prodhimit. Sipas “The Guardian”, fenomeni i fuqishëm El Niño i këtij viti pritet të sjellë pasoja të rënda për sektorin, me stuhi, reshje të dendura dhe periudha thatësire në disa prej vendeve kryesore prodhuese.
Në Kolumbi, një nga furnizuesit më të rëndësishëm të tregut britanik, erërat e forta kanë dëmtuar prodhimin, ndërsa në Peru dhe Ekuador reshjet e shumta po krijojnë vështirësi për fermerët. Në Republikën Dominikane parashikohen temperatura më të larta dhe kushte më të thata se zakonisht.
Të dhënat e organizatës Fairtrade tregojnë se gjatë ciklit të mëparshëm të El Niño-s, produktiviteti i fermerëve dhe punëtorëve ra me 13% në Republikën Dominikane, 22% në Ekuador dhe 6% në Peru.
Abuzuan me 230 mijë € dhe dh*nuan protestuesit: Arrestohen kryebashkiaku dhe kupola e policisë serbe
Eksportet e Kolumbisë pësojnë rënie të ndjeshme
Pasojat e ndryshimeve klimatike po reflektohen edhe në tregtinë ndërkombëtare. Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Bananes në rajonin Magdalena dhe La Guajira të Kolumbisë, të ardhurat nga eksportet ranë me 32% gjatë periudhës korrik-shtator, duke zbritur në 122 milionë dollarë.
Vetëm në shtator, dërgesat e bananeve jashtë vendit shënuan një rënie prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa të ardhurat pothuajse u përgjysmuan, nga 70 milionë në 40 milionë dollarë. Përfaqësuesit e prodhuesve kërkojnë që tregjet ndërkombëtare të ofrojnë çmime që pasqyrojnë kostot reale të prodhimit dhe të garantojnë vazhdimësinë ekonomike të sektorit.
Fermerët paralajmërojnë për rrezikun ndaj vendeve të punës
Organizata Fairtrade paralajmëron se përkeqësimi i kushteve klimatike nuk kërcënon vetëm prodhimin, por edhe të ardhurat dhe sigurinë ekonomike të mijëra punëtorëve.
Ever Antonio Flores Muños, punonjës në një fermë bananesh në Kolumbi, tregon se temperaturat janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, ndërsa përmbytjet dhe erërat e forta kanë shkaktuar humbje në disa zona. Ai paralajmëron se pasojat do të ndihen nga i gjithë sektori, përfshirë punëtorët, të cilët rrezikojnë uljen e pagave.
Për këtë arsye, Fairtrade kërkon që Britania e Madhe të ndërmarrë masa ligjore kundër praktikave të padrejta tregtare, si pagesat e ulëta ose të vonuara ndaj fermerëve dhe kontratat që ua kalojnë atyre rrezikun financiar të zinxhirit të furnizimit.
Çmimi i bananeve në supermarkete mbetet pothuajse i pandryshuar prej 40 vitesh
Një tjetër problem lidhet me hendekun mes kostove të prodhimit dhe çmimeve të shitjes. Ndërsa prodhimi i bananeve po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, plehrave kimike dhe fuqisë punëtore, çmimi i tyre në supermarketet britanike ka mbetur pothuajse i pandryshuar për rreth katër dekada.
Sipas një studimi të Ethical Trading Initiative, gjatë vitit 2026, çmimet e paguara nga blerësit nuk mbulonin as kostot bazë të prodhimit për 66.7% të furnizuesve të anketuar. Ndërkohë, drejtuesja e Fairtrade, Eleanor Harrison, thekson se e ardhmja e furnizimit me banane varet nga mundësia që fermerët të kenë burimet e nevojshme për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike.
Rreziku është edhe më afatgjatë. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2020 për Bankën Ndër-Amerikane të Zhvillimit, deri në vitin 2050, sipërfaqet e përshtatshme për kultivimin e bananeve në Amerikën Latine dhe Karaibe mund të tkurren mesatarisht me 61%.
Kjo situatë ngre shqetësime jo vetëm për të ardhmen e fermerëve, por edhe për furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me një nga frutat më të konsumuara në botë