Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, la të hapur mundësinë e operacioneve të reja ushtarake kundër Teheranit, ndërsa paralajmëroi Hezbollahun për pasoja të rënda në rast sulmi ndaj Izraelit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se misioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit nuk ka përfunduar, duke lënë të hapur mundësinë e sulmeve të reja ndaj Teheranit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë një ceremonie zyrtare në Jerusalem, Katz akuzoi Iranin se vazhdon përpjekjet për të siguruar armë bërthamore dhe theksoi se Izraeli duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar.
“Detyra jonë është të jemi të gatshëm për të gjitha skenarët”, u shpreh ai, duke nënvizuar se vendi i tij do të veprojë nëse është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët.
Në të njëjtën kohë, ministri konfirmoi se ushtria izraelite nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zonat që i konsideron zona sigurie në Gaza, Liban dhe Siri. Katz lëshoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Hezbollahun, duke deklaruar se nëse organizata i bashkohet Iranit në një sulm kundër Izraelit, do të përballet me goditje jashtëzakonisht të ashpra. Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku përpjekjet diplomatike për uljen e konfliktit vazhdojnë, ndërsa mundësia e një përshkallëzimi të ri ushtarak mbetet e hapur.