Qeveria e Izraelit ka autorizuar Shtetet e Bashkuara të vendosin një kontingjent fillestar prej rreth 250 trupash të huaja në Rripin e Gazës, si pjesë e përgatitjeve për një forcë të madhe ndërkombëtare stabiliteti.

Sipas raportimeve më të fundit nga mediat izraelite, oficerë ushtarakë të huaj të shoqëruar nga trupa amerikane janë parë pranë kufirit të Gazës gjatë dy javëve të fundit. Kjo lëvizje shënon hapin e parë praktik drejt zbatimit të planit të paqes të propozuar nga SHBA-ja

Përgatitjet për vendosjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Rripin e Gazës kanë hyrë në një fazë të re dhe konkrete. Burime nga sigurimi kombëtar në Izrael konfirmuan se qeveria izraelite ka dhënë dritën jeshile që SHBA-ja të dislokojë një grup fillestar prej rreth 250 ushtarësh të huaj, të cilët do të pozicionohen në zonat jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë izraelit.

Në listën e vendeve që kanë shprehur gadishmërinë zyrtare për të kontribuar me trupa ose mbështetje logjistike në këtë forcë ndërkombëtare bëjnë pjesë direkt Shqipëria dhe Kosova, krahas shteteve si Indonezia, Maroku, Kazakistani dhe Uganda

Gjatë dy javëve të fundit, oficerë të huaj së bashku me ushtrinë amerikane kanë kryer vëzhgime intensive në brezin kufitar të Gazës. Ndërkohë, SHBA-ja po transporton pajisje të rënda ushtarake – përfshirë automjete të blinduara terreni, ambulanca evakuimi dhe mjete të pajisura me mitralozë – drejt një baze speciale ushtarake pranë kufirit. Ky destinacion, i cili më parë menaxhohej nga ushtria izraelite (IDF), është shndërruar në një objekt të fortifikuar amerikan që ruhet 24 orë nga trupat e Uashingtonit.

Detyra e parë e këtij kontingjenti prej 250 trupash pritet të jetë sigurimi i perimetrit rreth një projekti pilot të banesave në Rafah, ku planifikohet të zhvendosen dhjetëra mijëra palestinezë pas kontrolleve të rrepta të sigurisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume