Këshilltari komunal nga radhët e AKO-së Huzeir Mustafi i ka dërguar një porosi publike liderit të VLEN-it, Izet Mexhiti, duke e sfiduar që deklaratat e tij kundër kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, t’i dëshmojë edhe me veprime konkrete.

Mustafi e cilëson Mexhitin si një nga politikanët më kontravers në historinë e RMV-së, duke rikujtuar se ai për dy dekada ka qenë pjesë e strukturave drejtuese të BDI-së, ndërsa sot e kritikon këtë parti për korrupsion dhe dështime.

Ai gjithashtu rikujton marrëveshjen e arritur mes Mexhitit dhe Dimitrievskit, për të cilën, sipas tij, qytetarët e Kumanovës nuk janë informuar se cilat kanë qenë pikat konkrete të saj.

Duke komentuar deklaratën e fundit të Mexhitit se, nëse Dimitrievskit i pengon gjuha shqipe, duhet ta lëshojë postin e kryetarit të komunës, Mustafi i ka kërkuar atij që të ndërmarrë një hap konkret.

“Urdhëroni, tre këshilltarët tuaj në Komunën e Kumanovës le ta braktisin shumicën e pushtetit lokal”, është porosia e Mustafit për Mexhitin.

Në fund, ai thekson se kjo do të ishte një mundësi për të dëshmuar nëse qëndrimet e shprehura publikisht janë serioze apo mbeten vetëm deklarata për përfitime të momentit politik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume