Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, sot në Kuvend kërkoi tërëheqjen nga rendi i ditës të Projektligjit për prokurimet publike, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara ulin kontrollin mbi shpenzimin e parave publike dhe krijojnë rreziqe korrupsioni.

Siç theksoi Lukarevska, një nga ndryshimet e diskutueshme është rritja e kufirit për prokurimet pa tender, pra procedurave “në katër sy”, nga 5.000 në 10.000 euro.

Sipas saj, me këtë çdo ministër, kryetar bashkie, drejtor i ndërmarrjeve publike apo funksionari tjetër do të mund të disponojë me 10.000 euro para të popullit për prokurime pa zhvilluar tender dhe pa dhënë llogari.

Lukarevska reagoi edhe ndaj propozimit për heqjen e detyrimit për marrjen e miratimit nga Byroja e Prokurimeve Publike për lidhjen e kontratave pa publikim njoftimi, duke vlerësuar se kjo do të mundësojë rritjen e numrit të kontratave “në katër sy” pa kontrollin e deritanishëm.

Për më tepër, ajo paralajmëroi se parashikohet rritja e taksave për paraqitjen e ankesave kundër procedurave të prokurimeve publike. Në vend të 5 deri në 200 euro të deritanishme, taksat do të shkonin nga 150 deri në 600 euro, gjë që, sipas saj, veçanërisht do t’i dekurajojë kompanitë e vogla që të kontestojnë procedurat e tenderit.

Si të diskutueshme e përmendi edhe ndryshimin e kriterit “çmimi më i ulët”, duke paralajmëruar se heqja e tij mund të hapë hapësirë për korrupsion.

“A do të kemi përsëri dema nga 100.000 euro?”, pyeti Lukarevska, duke iu drejtuar deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Ajo reagoi edhe ndaj propozimit që qasja në informacionet për prokurimet publike në Byro të paguhet, në vend që gazetarët dhe qytetarët të kenë qasje falas si deri më tani.

Pavarësisht kërkesës së Lukarevskës, shumica qeverisëse nuk votoi për tërëheqjen e projektligjit nga rendi i ditës. Ai mbetet si pika e 12-të e seancës së Kuvendit.