Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës.
Me këtë hap sigurohet një vlerësim i pavarur ndërkombëtar dhe profesional për përputhshmërinë e zgjidhjes së propozuar me Kushtetutën, instrumentet juridike ndërkombëtare dhe standardet evropiane.
Në kuadër të kësaj procedure, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve relevante, partitë politike parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e organizatave studentore.
Gjithashtu, janë paraparë demonstrime praktike të pjesës me shkrim të provimit në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.
Modeli i propozuar parasheh një sistem unik të dhënies së provimit, me kushte të barabarta dhe kritere të njëjta profesionale për të gjithë kandidatët, pa provime të veçanta apo standarde të ndryshme.
Komisioni i Venecias, organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës, në të cilin janë të përfaqësuara 61 shtete anëtare, do të ofrojë një perspektivë të pavarur ndërkombëtare profesionale në vlerësimin e zgjidhjes së propozuar ligjore.
Përcaktimi ynë është i qartë: ligjet duhet të bazohen në Kushtetutë, të drejtën dhe standardet evropiane, ndërsa zgjidhjet duhet të burojnë nga argumentet juridike dhe analiza profesionale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume