Me marrjen në pyetje të ekspertes që ka përgatitur ekspertizën ekonomike për furnizimin me aparate VLT në Lotarinë Shtetërore, ka vazhduar sot gjykimi për rastin e Lotarisë Shtetërore, ku objekt i aktakuzës është pikërisht kjo furnizim i kontestuar.

Ekspertja Anita Popovska para gjykatës shpjegoi përmbajtjen e planit financiar për blerjen e aparateve VLT, duke theksuar se vlera e përgjithshme e këtij furnizimi arrinte në mbi 9.5 milionë eur duke konfirmuar se Ministria e Finansave ka dhënë mendim pozitiv për furnizimin publik të “Lotarise Shteterore” me videoterminale për lojera të fatit si dhe që ky furnizim ishte i paraparë në planet finansiare dhe planet për investime dhe furnizime publike për vitin 2023 dhe 2024.

Më tej, prokurorët vazhduan pyetjet ndaj ekspertes lidhur me mendimin e dhënë nga Ministria e Financave. Në këtë pjesë, mbrojtja reagoi vazhdimisht, duke theksuar se ekspertja nuk mund të nxjerrë përfundime juridike.

Sipas mbrojtjes, vetë ekspertiza nuk është kontestuese, por prokurorët, përmes pyetjeve të tyre, janë përpjekur ta shtyjnë eksperten të japë përgjigje për çështje që nuk janë përfshirë në ekspertizën e saj.

Seanca e radhës për rastin Lotaria Shtetërore do të mbahet më 18 nëntor, kur pritet të merret në pyetje Aleksandar Klimovski, drejtori aktual i Lotarisë Shtetërore dhe dëshmitari i fundit i propozuar nga prokuroria. Pas dëgjimit të tij, në sallën e gjyqit do të fillojë paraqitja e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja./TS/