Zëvendësguvernatorja e Bankës Popullore, Ana Mitreska, në seancën e sotme mbikëqyrëse para Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet, kushtuar arsyeve për vendosjen e administrimit në Alta Banka SHA Manastir, deklaroi se masa është vendosur në rrethana specifike, kur aksionarit me pjesëmarrje dominuese i është hequr pëlqimi nga rregullatori kompetent, duke theksuar se banka vendore ka gjendje të shëndoshë financiare, kapitalizim të lartë dhe likuiditet të qëndrueshëm.

Mitreska theksoi se në kushte të tilla administrimi është një nga masat më të përshtatshme të parashikuara me Ligjin për Bankat, pasi duhet të parandalojë panikun e mundshëm dhe presionin e shtuar për tërheqjen e depozitave, gjë që mund ta cenojë likuiditetin e bankës dhe ta vendosë atë në situatë që të mos mund t’i përmbushë me kohë dhe plotësisht detyrimet ndaj klientëve.

Ajo, gjatë seancës mbikëqyrëse, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, ndër to edhe asaj të deputetes së LSDM-së, Jovana Trençevska, e cila kërkoi përgjegjësi nga Banka Popullore për pasojat që po i vuajnë qytetarët për shkak të administrimit në “Alta Banka – Manastir”, duke pyetur nëse para dhënies së pëlqimit për blerjen e aksioneve ishin kontrolluar reputacioni i pronarit, origjina e kapitalit dhe informacionet për procedura të mëparshme rregullatore të lidhura me Grupacionin Alta jashtë vendit. Ajo ngriti edhe çështjen e rritjes së aktiveve të Alta Bankës në Beograd, e cila sipas pretendimeve të saj, për pesë vjet është rritur 13 herë, përkundër rritjes prej vetëm dy për qind të të gjithë sektorit bankar serb.

“Kjo masë administrimi merret në kushte specifike, kur aksionarit me pjesëmarrje dominuese i është hequr pëlqimi nga rregullatori kompetent, ndërsa nga ana tjetër banka është e shëndoshë, e kapitalizuar dhe likuide. Në rrethana të tilla, sipas Ligjit për Bankat, një nga masat më optimale për t’iu përgjigjur kontekstit aktual është administrimi”, tha Mitreska.

Ajo theksoi se qëllimi i administrimit është të vendosë ekuilibër ndërmjet mundësimit të qasjes së klientëve në mjetet e tyre dhe mbrojtjes së bilancit të bankës, kursimtarëve, kreditorëve dhe sistemit bankar në tërësi.

“Masa e administrimit ka për qëllim të sigurojë ekuilibër. Nga njëra anë, përmes një qasjeje graduale, t’u mundësojë klientëve qasje në mjetet e tyre, ndërsa nga ana tjetër, në përputhje me rrethanat dhe gjendjen, të mbrojë gjendjen dhe bilancin e bankës, si dhe të gjithë kursimtarët dhe kreditorët në bankë, e me këtë edhe sistemin bankar”, theksoi zëvendësguvernatorja.

Lidhur me mundësinë e disponimit me mjetet, Mitreska informoi se Banka Popullore, së bashku me administratorët, e ndjek vazhdimisht gjendjen në bankë dhe, në përputhje me rrjedhat e pritshme, i përshtat kufijtë e lejuar për tërheqjen e mjeteve.

Ajo theksoi se shuma është rritur gradualisht nga 10.000 në 15.000 denarë dhe se janë siguruar lehtësime shtesë për klientët. Shtoi se ata mund të disponojnë plotësisht me hyrjet e reja nga pagat, pensionet dhe ndihma sociale, ndërsa janë hapur edhe lokacione fizike në ekspoziturat e bankës. Gjithashtu është miratuar një masë që u mundëson personave juridikë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar paga përmes “Alta Banka – Manastir”, të vazhdojnë pagesat edhe gjatë këtij muaji.

“Edhe një herë do të them se masa ka për qëllim të sigurojë mbrojtjen e bilancit të bankës, ekuilibrin ndërmjet këtij qëllimi dhe qasjes së klientëve në mjetet e tyre deri në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë optimale për kursimtarët dhe kreditorët e bankës, por edhe për të gjithë sistemin bankar”, tha Mitreska.

Duke iu referuar procedurës për licencimin dhe dhënien e pëlqimit për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë, ajo theksoi se në Bankën Popullore ekziston një proces institucional i përcaktuar rreptësisht, i cili kalon nëpër disa nivele kontrolli dhe vendimmarrjeje.

Sipas saj, të gjitha hapat dhe procedurat e parashikuara me rregulloret ligjore dhe nënligjore janë respektuar plotësisht edhe në rastin e “Alta Banka Beograd”, e cila kishte paraqitur kërkesë për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në atë që atëherë ishte “Stopanska Banka Manastir”.

Deputeti Mile Cekov kërkoi informacione konkrete për kontrollet e kryera nga Banka Popullore në përputhje me nenin 59 paragrafi 6 të Ligjit për Bankat, veçanërisht në lidhje me pronarin e vërtetë të “Alta Banka Beograd”, integritetin e tij, reputacionin dhe origjinën e mjeteve financiare. Ai pyeti se cilat institucione janë konsultuar, nëse ekziston dokumentacion me shkrim për vlerësimin e rreziqeve dhe nëse Banka Popullore kishte informacione për shqetësimet e Bankës Qendrore Evropiane lidhur me origjinën e kapitalit të Grupacionit Alta para dhënies së pëlqimit në shtator të vitit 2025.

Cekov kërkoi gjithashtu sqarime lidhur me statusin juridik të 95,3 për qind të aksioneve në Alta Banka Manastir, të cilat vazhdojnë të jenë në pronësi të Alta Banka Beograd edhe pas tërheqjes së pëlqimit për blerjen e tyre, si dhe për pasojat e mundshme juridike të procedurës së falimentimit në Serbi mbi një shitje eventuale të aksioneve në Maqedoni.

Mitreska sqaroi se procedura përfshin përcaktimin e identitetit të aplikuesit, strukturës pronësore dhe pronarit përfundimtar, grumbullimin e dokumentacionit dhe komunikimin zyrtar me institucionet kompetente, ndër të cilat gjykatat, regjistrat, drejtoritë, ministritë dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare.

“Njëkohësisht, për të gjithë personat pa përjashtim, në çdo proces licencimi kryhen verifikime përmes platformave ndërkombëtare globale. Përmes këtyre platformave mund të merren, nëse ekzistojnë, informacione dhe indikacione për transaksione eventuale të pazakonshme”, tha Mitreska.

Ajo shtoi se përmes këtyre kontrolleve sigurohen dëshmi të dokumentuara për përmbushjen e kritereve ligjore, përfshirë informacione për kundërvajtje ose masa ndëshkuese, ndalesa për ushtrimin e veprimtarisë, dënime penale, procedura falimentimi dhe likuidimi, si dhe heqje të mundshme të lejeve për themelimin dhe funksionimin e bankave.

Lidhur me verifikimet pranë rregullatorëve të huaj, Mitreska deklaroi se Banka Popullore ka zhvilluar komunikim zyrtar me shkrim me Bankën Qendrore të Serbisë, nga ku, siç tha ajo, nuk janë shprehur rezerva në lidhje me përshtatshmërinë, reputacionin dhe mënyrën e menaxhimit të “Alta Banka Beograd”, si dhe as në lidhje me respektimin e rregullave dhe standardeve.

Ajo iu referua edhe përgjigjes së Bankës Qendrore të Malit të Zi, e cila sipas saj, bazuar në informacionet dhe provat që kishte në dispozicion, kishte konstatuar se kushtet për dhënien e pëlqimit janë përmbushur dhe se nuk ekzistojnë rreziqe lidhur me aftësinë për menaxhim të sigurt dhe stabil të institucionit të pagesave brenda Grupacionit Alta.

Sa i përket masës së Bankës Qendrore Evropiane lidhur me transaksionet për marrjen e Adiko Bankës, Mitreska sqaroi se ajo kishte të bënte me blerjen e aksioneve nga Alta Pay dhe një person tjetër juridik, pa njoftim paraprak në kohë se me transaksionin tejkalohej pragu për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë.

“Ju e përmendët edhe Bankën Qendrore Evropiane dhe informacionet, sigurisht që është realizuar komunikim. Megjithatë, dua të theksoj se BQE-ja shqiptoi një masë që kishte të bënte me transaksione të realizuara për blerjen e një banke që është nën mbikëqyrjen dhe rregulloren e Bankës Qendrore Evropiane, ndërmjet Alta Pay dhe një personi tjetër juridik, të cilët nuk kishin informuar paraprakisht dhe me kohë se me këtë blerje të aksioneve tejkalohej pragu që është kusht për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë”, tha ajo.

Sipas saj, pasi ishte bërë ndryshim në transaksione, masa e pezullimit ishte tërhequr, prandaj nuk bëhej fjalë për konstatim të papërshtatshmërisë së aksionarit.

Mitreska theksoi se gjatë procesit të licencimit ishte kontrolluar edhe pozicioni financiar i aksionarit potencial, kapaciteti i tij dhe mundësia për ta mbështetur financiarisht bankën vendore.

Ajo shtoi se ishte verifikuar edhe origjina e mjeteve për blerjen e aksioneve, për të cilat, sipas dokumentacionit, ishte konstatuar se rridhnin nga veprimtaria e rregullt e bankës. Si dëshmi ajo përmendi bilancet financiare të bankës, të cilat në procedurën e licencimit duhet domosdoshmërisht të konfirmohen nga auditorë të pavarur të jashtëm.

“Në bazë të kësaj mund të konstatoj edhe një herë se të gjithë hapat, procedurat dhe vetë mënyra e marrjes së vendimit në kuadër të Bankës Qendrore janë respektuar plotësisht”, theksoi Mitreska.

Sa i përket hapave juridikë pas heqjes së pëlqimit për “Alta Banka Beograd” për disponimin me aksionet në bankën maqedonase, Mitreska deklaroi se Banka Popullore, menjëherë pas marrjes së informacionit publik për heqjen e pëlqimit nga rregullatori serb, kishte miratuar një vendim me të cilin “Alta Banka Beogradit” i hiqej pëlqimi për disponimin me aksionet në “Stopanska Banka Manastir”, si dhe e drejta e votës.

Mitreska sqaroi se heqja e pëlqimit nuk do të thotë automatikisht heqje e pronësisë, por Ligji për Bankat parasheh procedurë të qartë për shitjen e aksioneve.

Në raste të tilla, Banka Popullore i cakton afat aksionarit, përkatësisht administratorit të falimentimit ose Agjencisë për Sigurimin e Depozitave, për tjetërsimin e aksioneve. Nëse ato nuk shiten brenda afatit të caktuar, administratori i falimentimit ka detyrim t’i japë autorizim Bankës Popullore që ta realizojë shitjen, me qëllim mbrojtjen e kreditorëve dhe kursimtarëve në bankën maqedonase.

Ajo theksoi se edhe procedura e shitjes është e rregulluar në mënyrë të saktë me ligj dhe nuk përfaqëson një vendim arbitrar të Bankës Popullore, por realizohet përmes informacioneve të publikuara publikisht dhe ankandit në bursë, me kushte dhe rregulla të përcaktuara qartë për pjesëmarrje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume