Në kuadër të aktiviteteve të projektit ndërkombëtar Erasmus+ TechMP, një grup studentësh të programit studimor të Fizikës të Universitetit të Tetovës morën pjesë në një shkollë ndërkombëtare njëjavore, të organizuar në Universitetin e Krajovës, në Rumani. Ky aktivitet mblodhi studentë nga disa vende të Evropës Juglindore, përfshirë Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Maqedoninë e Veriut, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e njohurive, përvojave akademike dhe praktikave profesionale në fushën e fizikës mjekësore.
Përgjatë programit pesëditor, pjesëmarrësit patën mundësi të thellonin njohuritë mbi zhvillimet bashkëkohore në fizikën mjekësore, duke ndërthurur përmbajtjet teorike me përvojën praktike përmes ligjëratave, punës në terren dhe vizitave në institucione universitare e shëndetësore. Rrëndësi e veçantë iu kushtua njohjes me rolin e fizikantit mjekësor në institucionet klinike dhe kontributin e tij në zbatimin e teknologjive moderne për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve.
Pjesë e rëndësishme e agjendës ishte edhe vizita në qendrën onkologjike Sf. Nectarie Oncological Center, ku studentët u njohën me organizimin e punës dhe përgjegjësitë profesionale të fizikantëve mjekësorë në praktikën klinike. Gjatë qëndrimit në këtë institucion, ata u pritën nga ekspertët e fizikës mjekësore, Florin Costache dhe Dr. Andrei Dicianu, të cilët i informuan për përdorimin e pajisjeve dhe sistemeve teknologjike që shërbejnë në procesin e radioterapisë.
Në mënyrë më konkrete, studentët u njohën me funksionimin e përshpejtuesit linear (LINAC), tomografisë së kompjuterizuar për simulim (CT Simulator), si dhe sistemit të planifikimit të trajtimit (TPS). Gjithashtu, vëmendje iu kushtua procedurave të kontrollit të cilësisë (Quality Assurance – QA), të cilat përbëjnë një komponent thelbësor në garantimin e saktësisë, besueshmërisë dhe sigurisë së trajtimeve me rrezatim. Kjo përvojë u mundësoi studentëve të kuptojnë më mirë ndërlidhjen ndërmjet njohurive teorike të fituara gjatë studimeve dhe zbatimit të tyre në mjedisin klinik.
Krahas dimensionit akademik dhe profesional, programi përfshiu edhe veprimtari me karakter kulturor dhe njohës. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit vizituan disa nga pikat me rëndësi historike dhe kulturore të qytetit të Krajovës, ndër të cilat muzeun e artit, bashkinë dhe pjesën e vjetër të qytetit. Projekti TechMP ka për qëllim përmirësimin dhe modernizimin e proceseve të mësimdhënies, të nxënit dhe kërkimit shkencor në fushën e fizikës mjekësore, përmes integrimit të teknologjive të avancuara, metodave bashkëkohore pedagogjike dhe përvojës së drejtpërdrejtë klinike. Nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre shëndetësore në Evropën Juglindore, projekti synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin profesional dhe akademik të studentëve dhe stafit universitar.
Në këtë aktivitet, studentët e Universitetit të Tetovës u shoqëruan nga profesorët Prof. Dr. Bashkim Ziberi, Doc. Dr. Redona Izairi – Bexheti dhe Prof. Dr. Naim Mahmudi.
Pjesëmarrja në këtë shkollë ndërkombëtare ishte një veprimtari e rëndësishme për studentët e Fizikës që të zgjerojnë horizontet e tyre akademike, të njihen me praktikat evropiane në fushën e fizikës mjekësore dhe të krijojnë ura bashkëpunimi me kolegë dhe ekspertë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume