Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, vlerëson se zgjedhjet nuk do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, duke argumentuar se situata politike në rajon ka ndikuar në kalkulimet e pushtetit në Maqedoninë e Veriut informon Tetovasot.

Në një deklaratë publike, Thaçi tha se ka ndryshuar vlerësimin e tij krahasuar me disa muaj më parë.

“Një ndryshim të vlerësimit e kam në krahasim me tre ose katër muaj më parë. Mendoj se zgjedhjet nuk do të mbahen në pranverë,” deklaroi ai.

Sipas Thaçit, arsyeja lidhet me zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin që ato, sipas tij, kanë tek pushteti në Shkup.

“Arsyeja është se Qeveria e Maqedonisë dhe kryeministri, kur e panë humbjen e Vuçiqit dhe tani kur e shohin tendencën e Bashkësisë Ndërkombëtare, nëpërmjet studentëve, që t’i shkulin të gjitha rrënjët e politikës së Vuçiqit, kanë frikë të shkojnë në zgjedhje në pranverë,” u shpreh Thaçi.

Deklarata e liderit të PDSH-së vjen në një periudhë kur në skenën politike vazhdojnë spekulimet dhe debatet për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa institucionet ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë vendim zyrtar për datën e tyre.TS