Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, duke i bërë thirrje që të largohet nga Qeveria dhe të distancohet nga, siç tha ai, politikat që i cilësoi antishqiptare informon Tetovasot .
Thaçi u shpreh se drejtuesit e VLEN-it duhet të mendojnë edhe për periudhën pas largimit nga pushteti.
“Ju duhet të mendoni se do të jetoni këtu edhe pasi të bini nga pushteti. Ju nuk keni rezervë si Radoiçiqi dhe Vuçiqi, të cilët mund të shkojnë në Rusi. Radoiçiqi tashmë është larguar. Ai është personi që kreu agresionin në Banjskë të Kosovës. Nuk është mirë të silleni në këtë mënyrë,” deklaroi Thaçi.
Ai vlerësoi se VLEN ndodhet para, sipas tij, momentit të fundit për t’u tërhequr nga ekzekutivi.
“Mendoj se VLEN e ka momentin e fundit që të tërhiqet, të largohet dhe ta delegjitimojë këtë qeverisje. E ardhmja e kësaj qeverie është e qartë. Cila është ajo e ardhme? E njëjtë si ajo e Vuçiqit,” tha lideri i PDSH-së.
Sipas Thaçit, shqiptarët duhet të delegjitimojnë institucionet që, sipas tij, “natë e ditë veprojnë me antishqiptarizëm”.
“VLEN-i e ka momentin e fundit të largohet nga qeveria, sepse kushti i parë që duhet ta realizojmë si shqiptarë është t’i delegjitimojmë këto institucione, të cilat natë e ditë veprojnë me antishqiptarizëm,” u shpreh ai.
Deklaratat e Thaçit vijnë në një periudhë tensionesh politike dhe përplasjesh të vazhdueshme mes opozitës shqiptare dhe partive pjesëmarrëse në Qeveri.TS