Pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në ishull, presidenti kuban tha se vendi është i gatshëm të përballet me çdo agresion të huaj.
Kuba po përgatitet për mundësinë e një agresioni ushtarak amerikan, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, e hapi sërish temën e një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake në ishull. Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel tha se vendi i tij nuk do të lejojë asnjë agresion ushtarak të huaj dhe se është i gatshëm të mbrojë sovranitetin e tij.
«Jemi të vendosur të hedhim poshtë çdo përpjekje për agresion ushtarak të huaj kundër vendit tonë», deklaroi Díaz-Canel dje, gjatë shënimit të Ditës së Mbrojtjes Kombëtare, sipas TeleSUR.
Në kuadër të kësaj aktiviteti, në të gjithë Kubën u organizuan aktivitete ushtarake, si pjesë e përgatitjeve për mbrojtjen kombëtare.
Presidenti kuban theksoi se vendi i tij është një shtet paqedashës, se nuk përbën kërcënim për asnjë vend tjetër dhe se nuk rrezikon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tensionet u ngritën më tej nga deklaratat e Donald Trampit, i cili foli sërish për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Kubë, duke thënë se dëshiron që çështja e ishullit të zgjidhet para mbarimit të mandatit të tij presidencial në janar 2029.
Deklaratat nga Uashingtoni dhe reagimi i ashpër nga Havana ngrenë pyetje të reja për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat prej dekadash janë të ngarkuara me konflikte politike dhe ideologjike.