Dogana zbulon mbi 8 kilogramë argjend të padeklaruar në Merdare në vlerë deri në 10 mijë euro, pamje
Dogana e Kosovës, ka parandaluar kontrabandimin e rreth 8.27 kilogramëve argjend të padeklaruar në Pikën e Kalimit Kufitar Merdare.
Nga dogana thuhet se, rasti është zbuluar sot, pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit fillestar të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit përmes territorit të Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj, ku pas vlerësimit të dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur nga Njësia e Skanerëve për kontroll përmes pajisjeve të skanimit, dhe se gjatë analizimit të imazheve të skanimit, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesën e automjetit, çka ka çuar në kontrollin e detajuar në vijën e dytë.
‘’ Sasia e zbuluar përbëhej nga: * 6 monedha investuese argjendi, të prodhuara nga Australian Perth Mint (Kookaburra, Koala dhe Lunar Series), me peshë nga 1 kilogram secila, gjithsej 6 kilogramë; 1 lingotë argjendi, e markës Umicore, me peshë 1 kilogram (1,000 gramë); 2 tuba plastikë, me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 1 ons (31.1 gramë) për monedhë. Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8,000 deri në 10,000 euro’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Dogana e Kosovës parandalon kontrabandimin e rreth 8.27 kilogramëve argjend të padeklaruar në PKK Merdare
Merdare, 14 nëntor 2026 – Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të metaleve të çmuara në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) Merdare, ku gjatë kontrollit të një automjeti janë zbuluar dhe sekuestruar përkohësisht rreth 8.274 kilogramë argjend i pastër investues, me pastërti 99.9%.
Rasti është zbuluar sot, pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit fillestar të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit përmes territorit të Republikës së Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj.
Pas vlerësimit të dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur nga Njësia e Skanerëve për kontroll përmes pajisjeve të skanimit. Gjatë analizimit të imazheve të skanimit, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesën e automjetit, çka ka çuar në kontrollin e detajuar në vijën e dytë.
Kontrolli është realizuar nga zyrtarët doganorë të angazhuar në këtë operacion, në bashkëpunim me zyrtarët përkatës dhe nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e argjendit të padeklaruar, e fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur. Malli ishte kamufluar në atë mënyrë që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes.
Sasia e zbuluar përbëhej nga:
* 6 monedha investuese argjendi, të prodhuara nga Australian Perth Mint (Kookaburra, Koala dhe Lunar Series), me peshë nga 1 kilogram secila, gjithsej 6 kilogramë;
* 1 lingotë argjendi, e markës Umicore, me peshë 1 kilogram (1,000 gramë);
* 2 tuba plastikë, me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 1 ons (31.1 gramë) për monedhë.
Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8,000 deri në 10,000 euro.
Dogana e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve teknologjike dhe operative të institucionit. Në veçanti, pajisja me teknologji moderne të skanimit, e mundësuar përmes këtij bashkëpunimi, ka kontribuar drejtpërdrejt në identifikimin e këtij rasti, si dhe në zbulimin e rasteve të tjera të parregullsive dhe tentativave për kontrabandë.
Malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe për zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe mbrojtjen e ekonomisë së vendit. Me këtë rast, ftohen të gjithë qytetarët që të raportojnë çdo dyshim apo parregullsi në numrin pa pagesë 0800 500 95.