Dega e Lidhjes Shqiptare në Gostivar ka mbajtur sonte Kuvendin zgjedhor, në të cilin u zgjodhën organet e reja drejtuese. Me mbështetje unanime të kuvendarëve të pranishëm, kryetar i Degës u zgjodh Vokrim Demiri, ndërsa me propozim të tij Kuvendi votoi edhe përbërjen e re të kryesisë.
Në fjalën e tij pas marjes së detyrës së re, Demiri tha se këtë pozicion e ndjen si përgjegjësi për të ringritur strukturat lokale dhe për ta bërë Gostivarin dhe Maqedoninë e Veriut një vend më të mirë për shqiptarët dhr qytetarët në përgjithësi. “Unë vetë për 20 vite kam jetuar në mërgim dhe tani jam kthyer për të kontribuar në vendlindjen time. Duhet të gjithë të punojmë për vendin tonë, për këtë popull e për brezat e rinj që të mos e shohin mërgimin si rrugëdalje, por jetën e tyre ta ndërtojnë këtu”, tha kryetari i posazgjedhur, Vokrim Demiri.
Punimet e Kuvendit të Degës së Gostivarit, nga afër i ndoqi edhe Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, i cili theksoi rëndësinë dhe peshën e kësaj dege si ndër më të fuqishmet e subjektit tonë ndër vite.
“Gostivari ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm për ne dhe ju që jeni sonte prezent jeni simbil i rrezistencës dhe rrugës së drejtë Kombëtare. Në Gostivar na janë paraqitur edhe disa që i thonë vetes ‘igraç’, që politikën e shohin si transfertë futbollistësh dhe gazetarët ju shkojnë mbrapa për ti pyetur se ku do ta bëjnë transferin e radhës. Lidhja Shqiptare sot dhe Aleanca për Shqiptarët dje, kur ne udhëhiqnim me të, ishte dhe mbetet mbrojtës i kauzës kombëtare, të drejtave dhe barazisë së shqiptarëve në këtë shtet. Ne nuk jemi për kolltuqe pushteti, por për shtet që do të jetë i barabartë për të gjithë”, tha Ziadin Sela.
Prezent në Kuvendin e Degës së Gostivarit ishin edhe Kryetari i Kuvendit të partisë, deputeti Elmi Aziri dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë Qëndrore.