Nga Urim Saliu

Politika ka një ligj të heshtur. Armiku më i rrezikshëm nuk është ai që të pret përballë, por ai që dje të duartrokiste më fort se të gjithë. Ai që të quante shpëtimtar, ndërsa sot sillet sikur nuk të ka njohur kurrë.
Kjo është drama që po jeton sot Ali Ahmeti.
Për më shumë se dy dekada ai ndërtoi një forcë politike, krijoi figura, u dha poste, ndikim dhe pushtet. Shumë prej atyre që sot flasin me zë të lartë kundër tij nuk do të kishin hyrë kurrë në skenën politike pa dorën që ua zgjati ai. Sot një pjesë e tyre janë në VLEN, ndërsa të tjerë vazhdojnë të jenë në BDI, por kanë zgjedhur heshtjen. Të dyja palët, secila në mënyrën e vet, janë produkt i të njëjtit model.
Pyetja që shtrohet është: si nuk arriti Ali Ahmeti t’i kuptojë këta njerëz?
Ndoshta sepse për vite me radhë besoi se besnikëria fitohej me poste. Por besnikëria nuk blihet me kolltuk. Ajo provohet në ditët e vështira. Ata që e duartrokasin liderin vetëm kur ai është në pushtet, nuk janë besnikë. Janë puthadorë të pushtetit. Sot i shërbejnë njërit, nesër tjetrit. Nuk kanë ideologji, nuk kanë ideale, nuk kanë atdhedashuri. Kanë vetëm një busull: interesin personal.
Këta njerëz nuk janë patriotë. Ata nuk luftojnë për kombin, por për privilegjet. Nuk mbrojnë qytetarin, por xhepin e tyre. Dhe kur pushteti ndryshon, ndryshojnë edhe betimet e tyre. Ata nuk tradhtojnë vetëm liderin që i ngriti. Tradhtojnë edhe popullin e tyre.
Gabimi më i madh i Ali Ahmetit nuk ishte se kishte kundërshtarë. Çdo lider i ka. Gabimi ishte se nuk dalloi idealistin nga oportunisti, njeriun e sakrificës nga njeriun e përfitimit. Shpesh u besoi më shumë servilëve sesa atyre që flisnin me sinqeritet. Ndërsa militantët që qëndruan pranë partisë në ditët më të vështira mbetën në hije, të anashkaluar nga ata që dinin vetëm të lavdëronin.
Sot historia është kthyer si bumerang.
Ata që dikur betoheshin se Ali Ahmeti ishte i pazëvendësueshëm, sot janë sulmuesit e tij më të zhurmshëm. Ndërsa shumë prej atyre që vazhdojnë të jenë në BDI dhe për vite të tëra përfituan poste, pushtet e privilegje falë tij, zgjedhin heshtjen. Sikur gjithçka që morën të ketë qenë e fituar me meritë, e jo falë besimit që dikush u dha.
Ky është mësimi më i hidhur i politikës, pushteti të sjell shumë njerëz pranë, por vetëm humbja tregon kush ishte me ty dhe kush ishte vetëm me pushtetin.
Në fund, dënimi më i rëndë për një lider nuk vjen gjithmonë nga kundërshtari politik. Vjen nga njerëzit që vetë i ngriti, i promovoi dhe u besoi. Sepse kur ndërton karrierën e oportunistëve, një ditë ata nuk rrëzojnë vetëm ty. Rrënojnë besimin, shpresën dhe vetë shoqërinë që pretendonin se e përfaqësonin

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume