Mureseli për Mega Parkun në Butel: Ne nuk i frikësohemi askujt, ata që shkelin ligjin duhet të frikësohen (VIDEO)
Çështja e mosvendosjes së mbishkrimeve në gjuhën shqipe në Mega Parkun e Komunës së Butelit ishte ditë më parë në qendër të përplasjes mes këshilltarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, ku më pas debatit iu bashkua edhe kryetari i komunës.
Lidhur me këtë çështje, këshilltari i AKI-së, Armend Mureseli, në një prononcim për TS, deklaroi se nuk i frikësohet askujt, duke theksuar se kërkesa e tyre është vetëm respektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Ne nuk i frikësohemi askujt dhe nuk ka arsye për t’u frikësuar, sepse nuk kërkojmë asgjë më shumë përpos respektimit të ligjit për gjuhët. Ai që nuk e respekton ligjin, ai duhet të frikësohet”, u shpreh Mureseli për TS.
Ai shprehu kënaqësinë për reflektimin e këshilltarëve të VLEN-it pas 17 seancave, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre do të vazhdojë deri në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Komunën e Butelit.
“Mua më vjen mirë që pas 17 seancave, këshilltarët e VLEN-it reflektuan dhe ne do të bashkëpunojmë me ta deri në përmbushjen e të drejtave të shqiptarëve në Komunën e Butelit. Ne kemi qenë për bashkëpunim që nga dita e parë dhe do të vazhdojmë për kauzën tonë kombëtare”, shtoi ai.
Mureseli bëri të ditur gjithashtu se, pas kërkesës së dorëzuar nga këshilltarët e AKI-së, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të premten ka realizuar inspektim në Komunën e Butelit, përfshirë edhe Mega Parkun dhe parkun e Butelit.
Sipas tij, kërkesa është që tabelat e vendosura vetëm në gjuhën maqedonase të plotësohen edhe me mbishkrime në gjuhën shqipe.