Bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka vizituar sonte pikën kufitare të Qafë Thanës, duke njoftuar lehtësimin e procedurave të qarkullimit me Shqipërinë pas ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes për kontrolle të përbashkëta kufitare.
Pas aktiviteteve në Strugë, Mexhiti u ndal në Qafë Thanë, e cila është një nga pesë pikat ku do të zbatohet sistemi i kontrollit të përbashkët “One Stop Shop”. Sipas marrëveshjes së miratuar sot nga ligjvënësit, ky sistem do të përfshijë edhe vendkalimet kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
Përmes një reagimi publik, Mexhiti theksoi se me VLEN-in në qeverisje, pas lehtësimit të lëvizjes me Kosovën, po ndërmerren hapa konkretë edhe në kufirin me Shqipërinë, duke nënvizuar se marrëdhëniet me Tiranën dhe Prishtinën maten me punë dhe heqje të pengesave për qytetarët, e jo me slogane.
Ai bëri të ditur se me kontrollet e përbashkëta dhe funksionimin e parashikuar 24 orë në ditë, synohet shkurtimi i pritjeve dhe lehtësimi i qarkullimit ndërmjet dy vendeve.
“Për Strugën dhe zonat kufitare, kjo do të thotë më shumë mundësi për turizmin e tregtinë, ndërsa për familjet në të dyja anët e kufirit, më pak kohë në pritje dhe më shumë kohë pranë njëra-tjetrës”, u shpreh Mexhiti.