Banorët e fshatit Kondovë i janë drejtuar zyrtarisht Komunës së Gjorçe Petrovit dhe kryetarit Aleksandar Stojkoski, me kërkesë për vendosjen e ndriçimit publik në hyrje të fshatit, në pjesën që bie nën kompetencat e kësaj komune.

Sipas kërkesës së banorëve, kjo pjesë e rrugës prej një kohe të gjatë mbetet pa ndriçim publik, duke krijuar vështirësi dhe rrezik për këmbësorët, banorët dhe pjesëmarrësit në komunikacion, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.

Banorët theksojnë se, pavarësisht mungesës së këtij shërbimi, ata paguajnë rregullisht taksën për ndriçim publik, duke kërkuar që Komuna të sqarojë pse ky shërbim nuk ofrohet në zonën e tyre.

Në kërkesën drejtuar autoriteteve komunale, banorët kërkojnë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike, duke shprehur shqetësimin se mungesa e investimeve dhe shërbimeve publike në këtë pjesë të Kondovës mund të krijojë ndjenjën e trajtimit të pabarabartë.

Përmes kësaj kërkese, ata kërkojnë shqyrtimin urgjent të gjendjes në terren, ndërmarrjen e masave konkrete për vendosjen dhe funksionalizimin e ndriçimit publik, si dhe një përgjigje zyrtare lidhur me arsyet e mungesës së këtij shërbimi dhe afatin kohor për zgjidhjen e problemit.

Banorët presin që Komuna e Gjorçe Petrovit ta shqyrtojë kërkesën dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Ndriçimi publik nuk është privilegj, por një shërbim bazë komunal që duhet t’u sigurohet të gjithë qytetarëve, pa përjashtim”, thuhet në kërkesën e banorëve të Kondovës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume