Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar paraburgim dhe ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin, njeriun që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në veri të Kosovës në vitin 2023. Këtë e ka konfirmuar vetë gjykata për Radion Evropa e Lirë.
Gjykata e mori vendimin pasi Radoiçiq nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd. Me vendim të Gjykatës së Lartë ai ishte i detyruar të paraqitej atje.
Radio Evropa e Lirë u përpoq gjatë ditës të merrte një koment edhe nga avokati i tij, Goran Petronijeviq. Ai nuk iu përgjigj as telefonatave, as mesazheve.
I kërkuar nga INTERPOL-i
Radoiçiq kërkohet nga INTERPOL-i për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë. Në Serbi ai është nën hetim nga Prokuroria e Lartë Publike. Fletarrestimin ndërkombëtar për sulmin e ka lëshuar Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK), sepse Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it.
Kodi i Procedurës Penale i Serbisë lejon lëshimin e fletarrestimit kur i pandehuri është në arrati dhe ka një urdhër për sjelljen e tij ose një vendim për paraburgim. Fletarrestimin e urdhëron gjykata që zhvillon procedurën penale.
Nga masat e lehta te fletarrestimi
Më 4 tetor 2023 e njëjta gjykatë e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ta mbajtur Radoiçiqin në paraburgim. Në vend të saj i kishte caktuar masa më të lehta: nuk mund të largohej nga vendbanimi pa leje, iu mor pasaporta dhe iu ndalua hyrja në Kosovë.