Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Besim Hoda, pritet të themelojë një parti të re politike. Portali TetovaSot mëson ekskluzivisht se partia e re do të mbajë emrin “Lëvizja NJË”.

Ditë më parë, në një bisedë mes Besim Hodës dhe gazetarit të TetovaSot, Nevrij Ademi, Hoda kishte konfirmuar se është në proces të formimit të një partie të re, por pa zbuluar emrin dhe personat që pritet t’i bashkohen kësaj nisme politike.

I pyetur nga TS se cilët do të jenë emrat që do t’i bashkohen partisë së re, Hoda nuk pranoi të komentojë, duke theksuar se është ende herët, pasi procesi është në zhvillim.

Ndërkohë, sipas informacioneve që ka siguruar TetovaSot, Hoda pritet ta promovojë subjektin e ri politik në periudhën e festave të Nëntorit ose gjatë muajit dhjetor.

“Data ende nuk është vendosur, por emri i partisë do të jetë Lëvizja NJË. Edhe faqja në Facebook është krijuar me këtë emër. Lëvizja NJË pritet të përqafohet edhe nga qytetarët shqiptarë”, ka deklaruar për TS një bashkëpunëtor i afërt i Hodës.

Ndryshe, skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka kaluar nëpër disa riorganizime, bashkime dhe ndarje të subjekteve politike. Aktualisht, koalicioni VLEN përbëhet nga katër parti politike shqiptare, ndërsa ASH-ja e Arben Taravarit ka rikthyer në skenë Lidhjen Shqiptare të Ziadin Selës.

Nga ana tjetër, BDI vazhdon të mbetet njëra ndër partitë më të mëdha shqiptare në vend. Në skenën politike vazhdon të jetë edhe PDSH-ja, ndërsa Lëvizja Arbëria pothuajse është shuar.

Mbetet të shihet se cilët do të jenë emrat që do t’i bashkohen Besim Hodës dhe çfarë ndikimi do të ketë “Lëvizja NJË” në skenën politike shqiptare. /TetovaSot/