Një operacion ndërkombëtar i sigurisë ka zbuluar një komplot të dyshuar për vrasjen e një biznesmeni izraelit me origjinë greke, ku dyshohet se ishin përfshirë gjashtë persona nga Shkupi dhe Kumanova, të moshës 29 deri në 73 vjeç.

Sipas gazetës greke Protothema, personi që ishte shënjestruar mbante pozitë drejtuese në një kompani dhe ishte në interes të shërbimeve iraniane të inteligjencës. Ai ndodhej nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve të mëparshme.

Hetimet dyshojnë se operacioni ishte organizuar nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavane, me ndihmën e Naxhi Sharifi Zindashtit, person i kërkuar nga FBI-ja.

Të dyshuarit nga Maqedonia e Veriut, sipas raportimeve, kishin zhvilluar takime me organizatorët në Iran dhe vende të tjera, ndërsa detyra e tyre ishte të udhëtonin drejt Greqisë për të realizuar atentatin.

Gjatë aksionit policor janë sekuestruar armë, municion, telefona, kompjuterë dhe skica të lokacioneve të rëndësishme. Katër persona ndodhen në paraburgim, një në arrest shtëpiak, ndërsa i gjashti është ende në kërkim.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim ndërmjet shërbimeve të sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke parandaluar atentatin e dyshuar.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe lidhjeve të tij ndërkombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume