Në kuadër të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit 2026”, vazhduan sot punimet e konferencës shkencore “Gjendja e teksteve shkollore shqipe në RMV”, e organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në hapje të kësaj dite punuese, që u moderua nga Fjolla Zllatku, fjalë rasti patën drejtori i Insitutit, Dr. Besnik Emini, dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani. Duke iu drejtuar të pranishmëve, drejtori i ITSHKSH-së, Besnik Emini, theksoi se synimi i konferencës nuk është vetëm evidentimi i gjendjes aktuale të teksteve shkollore, por edhe reflektimi shkencor për përmirësimin e tyre, në mënyrë që ato të jenë më të përshtatshme, më tërheqëse dhe më të afërta me nxënësit.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm konstatimi i gjendjes së teksteve, por edhe reflektimi mbi to dhe kërkimi i rrugëve për t’i bërë më të përshtatshme, më tërheqëse dhe më të komunikueshme me shkollarët tanë”, u shpreh Emini. Ai nënvizoi rëndësinë e ndikimit të kërkimeve akademike në politikat e hartimit dhe botimit të teksteve shkollore, duke theksuar se cilësia duhet të jetë kriteri kryesor, pa ndikime të jashtme nga fusha të tjera. Sipas tij, përkushtimi ndaj arsimit dhe përmirësimi i teksteve shkollore janë pjesë e domosdoshme e rrugës së zhvillimit të shoqërisë.

Në fjalën e tij, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, e përgëzoi Institutin për organizimin e konferencës dhe e vlerësoi rëndësinë e trajtimit të temës së teksteve shkollore në kuadër të festave të Nëntorit dhe Ditës së Alfabetit. Ai e rikujtoi kontributin historik të atdhetarëve të Kongresit të Manastirit, të cilët, me vizionin dhe përkushtimin e tyre, hodhën themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, duke i hapur rrugë zhvillimit të arsimit shqip dhe përcjelljes së dijes e kulturës ndër breza. Sulejmani shprehu urimin që punimet e konferencës të japin kontribut konkret në pasurimin e teksteve shkollore dhe në afrimin e brezave të rinj me historinë dhe kulturën shqiptare.

Pas fjalëve përshëndetëse, konferenca vazhdoi me tri sesione shkencore, të organizuara rreth temave bosht: “Mësimi i historisë përmes teksteve shkollore”, “Narrativat e komunikimit publik të teksteve shkollore” dhe “Identiteti etno-kulturor në tekstet shkollore”.

Me këtë rast u prezantuan 17 kumtesa shkencore dhe u zhvilluan diskutime në lidhje me temat e sesioneve përkatëse. Nëpërmjet këtyre temave, studiuesit dhe pjesëmarrësit trajtuan aspekte të ndryshme të përmbajtjes së teksteve shkollore dhe ndikimit të tyre në formimin arsimor, kulturor e identitar të nxënësve. Konferenca do të vazhdojë me punimet edhe nesër me dy tema të tjera bosht: “Shkolla shqipe në mërgatë” dhe “Letërsia shqipe në tekstet shkollore”, duke e zgjeruar diskutimin mbi sfidat dhe perspektivat e arsimit shqip në vend dhe në mërgatë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume