Presidentja Gordana Silljanovska-Davkova vlerësoi se është i domosdoshëm ndërmarrja urgjente e aktiviteteve të përbashkëta për përballimin e dhunës me bazë gjinore, duke theksuar se ndryshimet e deritanishme ligjore dhe masat institucionale nuk kanë dhënë rezultate të mjaftueshme.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve nëse do të kërkojë nga kryetari i Kuvendit që në rend dite të vendoset zgjidhja ligjore për mbrojtjen e grave nga dhuna me bazë gjinore, për të cilën opozita pretendon se që nga gushti qëndron në sirtar, ajo tha se problemi kërkon një qasje më të gjerë shoqërore dhe institucionale.

“Gjëja më e nevojshme është që së pari të ulemi të gjithë së bashku, unë jam e gatshme ta organizoj këtë. Pra, ata që i ndryshojnë ligjet, deputetët dhe deputetet para së gjithash, sektori joqeveritar, ekspertët, të mirëseardhura janë edhe gratë e pakta në pushtet. Mendoj se urgjentisht duhet të ndërmarrim hapa dhe të përpiqemi, shumë e vështirë është, sepse kjo është bërë si epidemi”, deklaroi Silljanovska-Davkova pas ngjarjes në Kuvend me rastin e 35-vjetorit të pavarësimit dhe miratimit të Kushtetutës së parë të Republikës së Maqedonisë.

Ajo theksoi se, pavarësisht ndryshimeve në Kodin Penal, ligjeve të lidhura me Konventën e Stambollit dhe takimeve të shumta mes institucioneve, sektorit joqeveritar dhe ekspertëve, dhuna ndaj grave nuk po zvogëlohet.

“Njeriu kur sheh se, përkundër ndryshimeve që bëmë në Kodin Penal, përkundër miratimit të ligjeve kundër diskriminimit të lidhura me Konventën e Stambollit, përkundër takimeve të shumta mes deputeteve, sektorit joqeveritar dhe eksperteve, si të mos zvogëlohet, për fat të keq, ritmi i rrezikimit dhe mosrespektimit të jetës së grave. Madje pyes veten nëse duhet të fillojmë të mbrohemi vetë dhe çfarë është, sipas mendimit tim, ndoshta më e nevojshme në këtë moment?”, tha presidentja.

Siç theksoi Silljanovska-Davkova, është e nevojshme të krijohen rrjete të fuqishme mbështetëse për gratë në të gjitha institucionet, përfshirë gjyqësorin, Ministrinë e Punëve të Brendshme, qendrat për punë sociale, parlamentin, qeverinë dhe sektorin civil.

“Madje më vijnë në mend disa ide të çuditshme që ndoshta në zyrën popullore të fillojmë të publikojmë fotografitë e atyre që shqetësojnë dhe keqtrajtojnë. Unë më nuk di se si ta sensibilizojmë opinionin publik. Ai është i sensibilizuar, por problemi është më i thellë, shumë më i thellë. Kur çdo ditë shihni luftë në botë, apo jo? Kur shihni se ata që duhet të zgjedhin fjalët dhe t’i thonë gjërat e rënda në mënyrë të bukur, nuk e bëjnë këtë, sepse dhuna ndonjëherë fillon me fjalën. Fjala dhemb, fjala vret, fjala lëndon. Dhe nëse ndaj fjalës ‘jo’ nuk ka përgjigje ose nuk ka tregim se kjo nuk është në rregull, ajo përhapet çdo ditë dhe bëhet vërtet diçka që njeriu nuk mund ta besojë”, potencoi presidentja.

Ajo vlerësoi se dhuna nuk lidhet vetëm me statusin social, varfërinë apo mungesën e shpresës dhe se asaj i drejtohen edhe njerëz që, siç tha ajo, i kanë të plotësuara kushtet e jetesës.

“Veçanërisht kam menduar se pas vdekjes së një fëmije do të vetëdijesohemi, përkatësisht burrat do të vetëdijesohen. Por pikërisht për këtë thashë se pas masave të shumta që ndërmorëm, u tregua se nuk mjaftojnë vetëm zgjidhjet normative. Se ende sikur kemi burra të traumatizuar nga kultura politike patriarkale, se ekziston një keqkuptim, si një keqkuptim jo logjik mes prindërve, mes njerëzve në dashuri. Për mua është tronditëse të dëshirosh dikë për të cilin pretendon se e do dhe e respekton, e megjithatë ta lëndosh fizikisht apo me fjalë. Problemi nuk është vetëm i grave, kjo më është e qartë, por duket se tani duhet të përpiqemi të ndërmarrim aktivitete, dhe atë të gjithë ata që i përmendëm, të ulemi, t’i rishqyrtojmë gjërat, të vendosim plane të sakta dhe çdo ditë të jemi aktivë. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër”, theksoi presidentja Silljanovska-Davkova.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume