BOZHINOVSKA NË P-TEC: PAS TRI DEKADASH VARËSIE NGA NJË BURIM I VETËM GAZI, PO HAPEN RRUGË TË REJA ENERGJETIKE DHE PO FORCOHEN NDËRLIDHJET RAJONALE
Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë të re energjetike, po hap rrugë alternative të
furnizimit dhe po forcon qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike. Këto procese janë pjesë e
qasjes strategjike për rritjen e sigurisë energjetike, të cilën ministrja e energjisë, minierave dhe
burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, e prezantoi në diskutimin e parë në panel, në kuadër të
takimit të shtatë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energjetikë (P-TEC) në
Varshavë.
Në panelin ,,Forcimi i sigurisë energjetike evropiane: qëndrueshmëria e infrastrukturës
kritike dhe diversifikimi i furnizimit”, Bozhinovska theksoi se bashkëpunimi rajonal është
përparësi kryesore, pasi asnjë vend nuk mund ta sigurojë sigurinë energjetike afatgjatë i
shkëputur nga tregjet rajonale dhe ndërlidhjet infrastrukturore.
„Për tri dekada kishim vetëm një burim furnizimi me gaz natyror – përmes Bullgarisë.
Megjithatë, monopoli nuk është zgjidhje e mirë, sidomos për një vend pa dalje në det.
Prandaj vendosëm të sigurojmë alternativa”, theksoi Bozhinovska.
Ministrja theksoi se ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë pritet të përfundojë në
qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa tubacioni është përgatitur edhe për transportin e
hidrogjenit. Paralelisht po punohet për lidhjen e gazit me Serbinë, e cila do t’i krijojë
vendit mundësi të reja për qasje në tregjet rajonale dhe në burime shtesë furnizimi.
Në sektorin e energjisë elektrike, Bozhinovska njoftoi se po ndërmerren hapa për
ndërlidhjen me Shqipërinë. Si hap të rëndësishëm drejt diversifikimit ajo përmendi edhe
vënien sërish në funksion të naftësjellësit për transportin e derivateve të naftës me
Greqinë, i cili nisi të punojë këtë vit pas 12 vitesh pasiviteti.
Duke folur për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike energjetike, ministrja theksoi se
sfidat e reja të sigurisë, përfshirë sulmet kibernetike dhe kërcënimet nga dronët,
kërkojnë një qasje të ndryshme në planifikimin dhe menaxhimin e sistemeve energjetike.
„Janë shtetet ato që duhet të hartojnë politikat dhe legjislacionin, në mënyrë që sektori
privat t’i zbatojë ato. Por nevojitet bashkëpunim i gjerë. Duhet t’i dëgjojmë investitorët
dhe, njëkohësisht, ta mbrojmë infrastrukturën kritike”, theksoi Bozhinovska.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave në zinxhirët e furnizimit dhe afateve të gjata të
pritjes për pajisjet kyçe energjetike. Bozhinovska theksoi se një investitor i interesuar për
ndërtimin e një turbine me gaz e kishte marrë termin e parë të disponueshëm për
dorëzim vetëm në vitin 2032, çka tregon seriozitetin e sfidës me të cilën përballen
projektet energjetike.
Ajo theksoi se investimet e reja duhet t’i marrin parasysh që në fazën e planifikimit
ndryshimet teknologjike, nevojën për sisteme rezervë dhe rreziqet e reja, veçanërisht në
kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, qendrave të të dhënave dhe
teknologjive të reja energjetike.
„Ajo që ndodhi në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit gjeopolitike janë një mësim i
rëndësishëm. Sot duhet të mendojmë për zgjidhje rezervë, teknologji dhe bashkëpunim
më të madh rajonal. Infrastruktura energjetike po ndryshon dhe po bëhet gjithnjë e më e
varur nga teknologjia”, theksoi ministrja.
Lidhur me mbrojtjen aktive të infrastrukturës energjetike dhe rolin e NATO-s,
Bozhinovska vlerësoi se, me shtimin e kërcënimeve nga dronët dhe sulmet kibernetike,
mekanizmat e konsultimit dhe koordinimit në kuadër të Aleancës do të marrin gjithnjë e
më shumë rëndësi.
Në diskutimin në panel morën pjesë edhe ministri i Energjisë i Lituanisë, Lukas
Savickas, Pierre Bechelany, përfaqësues i Fluor, dhe Roger Martella nga GE Vernova.
Diskutimin e moderoi Benjamin Schmitt nga Universiteti i Pensilvanisë.
Takimi i shtatë i P-TEC në Varshavë mbledh përfaqësues qeveritarë, institucione
ndërkombëtare dhe drejtues të sektorit energjetik nga Evropa dhe SHBA-ja, me fokus te
siguria energjetike, infrastruktura strategjike, diversifikimi i furnizimit dhe bashkëpunimi
transatlantik në fushën e energjetikës.

