Një dokumentar po trondit opinionin publik në Izrael, duke nxjerrë në qendër të debatit dëshmitë e ushtarakëve për mënyrën se si janë zhvilluar operacionet në Gaza.

Filmi “NAZA”, i prodhuar nga gazeta britanike “The Guardian”, sjell rrëfimet anonime të 24 oficerëve të inteligjencës ushtarake izraelite, të cilët flasin për vrasjen masive të civilëve palestinezë dhe mekanizmat e miratimit të sulmeve.

Serbia vijoi eksportin e ar*ëve pavarësisht embargos, kompania shtetërore realizoi mbi 300 milionë euro të ardhura
Dokumentari është pritur me duartrokitje që zgjatën 25 minuta në Festivalin e Filmit në Venecia dhe deri tani është parë nga më shumë se 1.5 milionë njerëz. Megjithatë, pavarësisht interesit ndërkombëtar, filmi nuk është shfaqur ende në kinematë izraelite, mes reagimeve të forta kundër tij.

Në qendër të dokumentarit është koncepti “Nezek Agavi”, një term që lidhet me numrin e civilëve që parashikohet të vriten gjatë një sulmi ushtarak dhe që llogariten si dëme kolaterale.

Dëshmitë e oficerëve hedhin dritë mbi një sistem që, sipas tyre, nuk bëhet fjalë vetëm për shkelje të izoluara, por për mënyrën se si funksionon vetë ushtria.

Nadav Weiman, drejtues i organizatës izraelite “Breaking the Silence”, thotë se dokumentari ka arritur të hapë një debat që për vite me radhë është shmangur në shoqërinë izraelite.

Sipas tij, mediat vendase kanë raportuar pak për atë që po ndodh në Gaza, duke u mbështetur kryesisht te deklaratat e ushtrisë dhe duke lënë jashtë dëshmitë e ushtarëve. Weiman paralajmëron se ka një klimë frike që po ndikon edhe te ushtarët e tjerë që duan të dëshmojnë.

Ndërkohë në Izrael, reagimet ndaj filmit kanë qenë të ashpra. Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka paralajmëruar përdorimin e çdo mjeti kundër dokumentarit, ndërsa regjisorët Yuval Abraham dhe Rachel Szor janë përballur me kërcënime. Ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se do të përpiqet t’u heqë shtetësinë të dyve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume