Skandali me gjuhën shqipe në Butel, Muhamed Zekiri: Ku janë ministrat shqiptarë dhe pse hesht Agon Ferati? (VIDEO)
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Komunën e Butelit dhe bashkimi i këshilltarëve shqiptarë pa dallim partie politike është një nga temat kryesore të ditëve të fundit.
Kryetari i Butelit, Darko Kostovski, ka vendosur që mbishkrimi i parkut të Butelit të jetë vetëm në gjuhën maqedonase, pa përfshirë gjuhën shqipe. Ky vendim ka nxitur reagime dhe ka sjellë bashkimin e këshilltarëve shqiptarë në këtë komunë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
Lidhur me këtë çështje, Muhamed Zekiri, në komentin e tij të fundit në portalin TetovaSot, ka ngritur shqetësimin për heshtjen e ministrave shqiptarë në Qeveri, veçanërisht të ministrit për Sistem Politik, Agon Ferati, institucioni i të cilit, sipas tij, duhet të reagojë për këtë rast.
“Por ku janë ministrat dhe liderët e VLEN-it në Qeveri? Pse heshtin? A mos vallë dikush e ka parë ministrin për Sistem Politik, Agon Feratin? A nuk është pikërisht institucioni që ai drejton përgjegjës të reagojë kur shkelet ligji? Nga momenti kur është emëruar askund s’e kemi parë, i mjafton si duket të shkojë në punë me veturë zyrtare”, thotë Muhamed Zekiri në komentin e tij në TS.
Ndërkohë, deri më tani, ministrat shqiptarë nuk kanë dalë me ndonjë reagim publik lidhur me çështjen e mbishkrimit në parkun e Butelit./TS/