Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë në panelin ndërkombëtar “Evropa: sfida të përbashkëta, zgjidhje të përbashkëta”, në kuadër të Konferencës së Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve, që po mbahet në Manila të Filipineve.
Gjatë panelit, ministri prezantoi përvojat, sfidat dhe prioritetet e vendit tonë në parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, duke veçuar tri sfida kryesore: rritjen e dhunës dhe abuzimit përmes teknologjive digjitale, qëndrimet shoqërore që ende tolerojnë dhunën ndaj fëmijëve dhe koordinimin e pamjaftueshëm ndërmjet institucioneve.
Shasivari theksoi se mbrojtja e fëmijëve nuk mund të sigurohet vetëm përmes miratimit të ligjeve. Nevojiten mbrojtje më e fuqishme në hapësirën digjitale, kuadro profesionale të specializuara, drejtësi e përshtatur për nevojat e fëmijëve dhe bashkëpunim efikas ndërmjet institucioneve të arsimit, shëndetësisë, policisë, shërbimeve sociale dhe drejtësisë.
Në fjalimin e tij, ministri theksoi rëndësinë e Ligjit për Drejtësi për Fëmijët të vitit 2024, si dhe angazhimet për avancimin e Kodit Penal, tejkalimin e boshllëqeve ligjore në mbrojtjen nga dhuna digjitale dhe krijimin e mekanizmave më efikasë për mbrojtjen e viktimave të mitura.
Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës që zgjidhjet ligjore të sigurojnë mbrojtje konkrete në praktikë, përkatësisht që çdo fëmijë të ketë mundësi ta raportojë dhunën pa frikë dhe të marrë në kohë mbështetjen e duhur institucionale.
Ministri theksoi se dhuna ndaj fëmijëve përbën një sfidë të përbashkët që kërkon veprim të koordinuar, shkëmbim përvojash dhe zgjidhje konkrete në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.