Universiteti i Tetovës organizoi ligjëratë dhe bashkëbisedim me Dr. Rudina Jasinin nga Universiteti i Oksfordit mbi udhëheqjen e UÇK-së, luftën çlirimtare dhe drejtësinë ndërkombëtare
Në kuadër të Kongresit të Dytë Ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës, më 18 nëntor 2026, Dr. Rudina Jasini, hulumtuese e lartë shkencore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Oksfordit dhe avokate mbrojtëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës, mbajti ligjëratën me temë “Përtej sallës së gjyqit: Çfarë nënkupton aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës për udhëheqjen e UÇK-së, luftën çlirimtare dhe Kosovën?”. Ligjërata u zhvillua fillimisht në kuadër të hapjes solemne të Kongresit, ndërsa më pas bashkëbisedimi vijoi edhe në Klinikën Juridike të Universitetit të Tetovës.
Një nga momentet më domethënëse të këtij takimi ishte mesazhi që Dr. Rudina Jasini përcolli në adresë të Universitetit të Tetovës, duke vënë në pah lidhjen historike dhe simbolike ndërmjet kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolit të UT-së në mbrojtjen e kësaj çështjeje. “Atë që bëri UÇK-ja për Kosovën, sot Universiteti i Tetovës, në krye me ju bën për mbrojtjen e UÇK-së”, u shpreh ajo, duke vlerësuar angazhimin e institucionit në trajtimin dhe promovimin e çështjeve që lidhen me luftën çlirimtare të Kosovës.
Gjatë takimit me stafin akademik, studiuesit dhe studentët, ajo trajtoi dimensionet juridike dhe politike të proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, duke u përqendruar në ndikimin e tyre mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe mënyrën se si paraqitet lufta çlirimtare e Kosovës në opinionin ndërkombëtar. Një pjesë të veçantë të analizës ia kushtoi edhe pretendimeve për trafikimin e organeve, të bëra publike përmes raportit të Dick Martyt, duke shqyrtuar rolin që këto pretendime patën në proceset që i paraprinë themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe në trajtimin ndërkombëtar të çështjes së UÇK-së.
Duke u mbështetur në përvojën dhe ekspertizën e saj profesionale në fushën e së drejtës ndërkombëtare, Dr. Rudina Jasini ofroi një vështrim kritik mbi bazën ligjore të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst, ajo vuri në diskutim mangësitë juridike të ligjit mbi të cilin mbështeten akuzat, duke argumentuar se disa prej zgjidhjeve normative ngrenë shqetësime serioze në raport me parimet themelore të drejtësisë penale ndërkombëtare dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor.
Vëmendje të posaçme në paraqitjen e saj zuri edhe funksionimi i trupit gjykues dhe respektimi i parimit të paanshmërisë gjatë procedurave. Sipas vlerësimit të Dr. Rudina Jasinit, mënyra e zhvillimit të procesit ka shfaqur problematika që, vënë në pikëpyetje ruajtjen e distancës së nevojshme ndërmjet trupit gjykues dhe palës së akuzës. Ajo theksoi se gjykata duhet të garantojë një rol plotësisht të pavarur dhe objektiv, ndërsa çdo shmangie nga ky standard rrezikon të cenojë barazinë procedurale ndërmjet palëve dhe besueshmërinë e procesit.
Në përmbyllje të analizës së saj, hulumtuesja nga Universiteti i Oksfordit u ndal edhe te rëndësia e respektimit të prezumimit të pafajësisë, objektivitetit dhe paanshmërisë, veçanërisht në procese që bartin një peshë të konsiderueshme juridike, historike për Kosovën. Ajo vlerësoi se çdo cenim i këtyre parimeve nuk duhet parë vetëm në raport me të drejtat individuale të të akuzuarve, por edhe në kontekstin më të gjerë të besimit në institucionet e drejtësisë dhe legjitimitetit të tyre. Në këtë kuptim, diskutimi mbi proceset në Hagë tejkalon kufijtë e një procedure gjyqësore, duke prekur drejtpërdrejt çështje që lidhen me interpretimin e historisë së Kosovës, luftën çlirimtare dhe perceptimin e saj në arenën ndërkombëtare.



