Zjarri që shpërtheu paraditen e sotme në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup është shuar me sukses, ndërsa të gjithë pacientët dhe punonjësit janë jashtë rrezikut.

Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, rreth orës 10:35, punonjësit në katin e parë kanë ndier erë tymi dhe kanë vërejtur tym që dilte nga tarraca e Repartit të Ortopedisë dhe Traumatologjisë, i cili ndodhet në katin e dytë.

Menjëherë është aktivizuar plani i evakuimit dhe, falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të personelit, të gjithë pacientët janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe janë sistemuar në ambiente të tjera.

Zjarri është lokalizuar dhe shuar fillimisht me pajisjet kundër zjarrit të spitalit, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe ekipet e zjarrfikësve.

Sipas informacioneve paraprake, në vendin ku shpërtheu zjarri nuk ka instalime elektrike apo të gazit. Dëmet materiale janë të vogla, ndërsa dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një bisht cigareje. Shkaqet e sakta do të përcaktohen pas hetimeve të autoriteteve kompetente.

Nga spitali bëjnë të ditur se të gjithë pacientët dhe punonjësit janë të sigurt, ndërsa institucioni vazhdon punën normalisht.

Drejtoria e spitalit falënderoi stafin për reagimin profesional dhe të shpejtë, si dhe pacientët dhe familjarët e tyre për mirëkuptimin, duke theksuar se siguria e pacientëve dhe punonjësve mbetet prioriteti kryesor, raporton TetovaSot.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume