Në kuadër të Ditës së Alfabetit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj nga treva të ndryshme shqiptare. Mes tyre ishin Mevlan Ademi, kryetar i Lëvizjes Studentore në Maqedoninë e Veriut, dhe përfaqësues të grupit nismëtar të saj, të angazhuar në nismën “Foli Shqip o Taj”. Në qendër të diskutimit ishin ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe, si dhe rëndësia e bashkëpunimit për çështjet që i bashkojnë shqiptarët.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe theksoi se gjuha shqipe është një nga elementet themelore të identitetit kombëtar. Ai nënvizoi se ruajtja dhe promovimi i saj kërkojnë angazhim të përditshëm dhe veprime konkrete në familje, në shkollë, në institucione dhe në jetën e përditshme.

“Duhet të bëhemi më proaktivë për të zgjidhur çështjet që ndonjëherë mund të duken të vogla”, u shpreh Presidenti, duke iu referuar thënies së Nënë Terezës për rëndësinë e veprave të vogla, të bëra me dashuri të madhe.

“Duhet të bësh punë të vogla me dashuri të madhe për atë që është më e madhe se të gjithë ne: atdheun. Pa gjuhë, pa ‘Fol shqip!’ nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari”, theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti u ndal veçanërisht te përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të zbatohen edhe në praktikë.

Ai rikujtoi se, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, mbajti një fjalë në gjuhën shqipe në Kuvendin e këtij vendi dhe u takua me studentët që protestonin për të drejtën e përdorimit të saj.

“Ju besoj e dini se Presidenti i Shqipërisë mbajti një fjalë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk ishte thjesht një formalitet. Ishte një mesazh për të treguar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë në tokën e tyre, në vendin e tyre, dhe kanë të drejtat e tyre, të drejta të cilat duhen mbrojtur. Jo pa qëllim bëra edhe një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku u takova me një përfaqësi të studentëve që protestonin”, u shpreh Presidenti.

Presidenti nënvizoi se çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim përtej dallimeve politike.

“Duhet që të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësues të shqiptarëve në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje. Nuk ka çështje më të madhe se kjo”, theksoi Presidenti Begaj.

Duke sjellë në vëmendje Kongresin e Manastirit të vitit 1908, Presidenti e cilësoi atë si shembull të bashkimit të shqiptarëve rreth një çështjeje madhore kombëtare: alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe. Ai theksoi se edhe sot, kur bëhet fjalë për gjuhën, kulturën dhe të drejtat e shqiptarëve, është e rëndësishme që të gjithë të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të veprojnë së bashku.

Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Begaj solli si shembull komunitetin arbëresh në Itali, i cili ka ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar ndër shekuj. Ai theksoi se kjo përvojë duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për të rinjtë, për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës edhe larg atdheut.

“Ata kanë ruajtur për më shumë se pesë shekuj gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar, dhe janë krenarë për këtë gjë”, u shpreh Presidenti.

Në përfundim, Presidenti Begaj i inkurajoi të rinjtë të vijojnë me guxim angazhimin e tyre, duke theksuar se ndryshimi nis nga veprimet e vogla të përditshme dhe nga përgjegjësia e secilit për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Ai shprehu gatishmërinë për të mbështetur nismat e tyre dhe për të vijuar dialogun me ta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume