Një mungesë që nuk kaloi pa u vënë re. Asnjë funksionar i VMRO-DPMNE-së nuk ishte i pranishëm sonte në Akademinë solemne kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e organizuar nga VLEN në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup.
Në këtë aktivitet, i cili shënon një nga datat më të rëndësishme historike për shqiptarët, nuk u pa asnjë përfaqësues i partnerit më të madh të koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE-së, përcjell TS.
Kreu i Lëvizjes BESA dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, përmes një postimi në Facebook, ka uruar 22 Nëntorin dhe ka ndarë momente nga Akademia solemne, por në mesin e të pranishmëve nuk shihen funksionarë të VMRO-së.
“Sonte, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup, mora pjesë në Akademinë solemne kushtuar Ditës së Alfabetit, në kuadër të Festave të Nëntorit.
Nderuam rrugën që na e trasuan rilindësit tanë më 22 nëntor 1908, në Manastir. Rruga që bëri të mundur që, shqiptarët, kudo që janë, shkruajnë, mësojnë dhe ndërtojnë të ardhmen bashkë.
Gjuha shqipe duhet të ketë vendin që i takon në shkollë, në institucione dhe në jetën publike të këtij vendi.
Ky është edhe mesazhi i Festave të Nëntorit: të shkruajmë të ardhmen, në gjuhën tonë”, ka shkruar Kasami.
Mungesa e VMRO-së në këtë aktivitet mund të jetë një tjetër sinjal i ftohjes së raporteve mes dy partnerëve qeveritarë, ndërsa mbetet të shihet nëse bëhet fjalë për një bojkot të qëllimshëm apo thjesht për mungesë të rastësishme.
Ndryshe, Festat e Nëntorit këtë vit po kalojnë në një atmosferë dukshëm më të zbehtë, ndërsa mungesa e përfaqësuesve të VMRO-së në një ngjarje të tillë ngre pikëpyetje për marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës.