Mexhiti: Një alfabet i përbashkët mundësoi që shqipja të lexohej nga njëri skaj i hapësirës shqiptare në tjetrin
Bashkëkryetari i Vlen, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë sonte në Shkup, në ceremoninë solemne me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e organizuar në Muzeun e Artit Bashkëkohor.
Përmes një mesazhi, Mexhiti theksoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, duke rikujtuar se unifikimi i alfabetit bëri të mundur që librat dhe shkrimet në gjuhën shqipe të lexoheshin në të gjitha hapësirat shqiptare.
Ai nënvizoi se nderimi i kësaj trashëgimie historike nënkupton edhe përgjegjësinë për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe, për t’u kujdesur për edukimin e brezave të rinj, librat që lexojnë fëmijët dhe vendin që shqipja zë në jetën publike.
Në fund, Mexhiti uroi të gjithë qytetarët me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Gëzuar 22 Nëntorin!