Mëngjesin e kësaj të diele, kryeministri Edi Rama ndodhet në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, së bashku me kryeministrin, Hristijan Mickoski, pasi ditën e nesërme do të nisë “One Stop Shop”, me një ndalesë.

“One Stop Shop” ka si qëllim kryerjen e kontrolleve vetëm në një postobllok policie dhe vetëm me një ndalesë, ndryshe nga sa ka qenë më parë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi sistemin e ri kufitar si një hap konkret dhe lehtësim të madh për miliona qytetarë, duke e përmbledhur kalimin nga kontrollet e dyfishta te besimi i ndërsjellë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe bashkëpunimin strategjik për Korridorin 8.

“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.

Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8.

Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem.

Kam edhe një ankesë për Hristianin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume