Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u ka drejtuar një mesazh urimi pjesëtarëve të komunitetit shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, duke vlerësuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe rolin e gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në mesazhin e saj, presidentja thekson se kjo datë nuk përfaqëson vetëm një përvjetor historik, por dëshmon vizionin kombëtar dhe vetëdijen për një identitet të veçantë, të mbështetur mbi alfabetin e njësuar shqip. “Të nderuar bashkëqytetarë shqiptarë, 22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës e tejkalon simbolikën e një jubileu historik. Ajo është dëshmi e vizionit kombëtar dhe e vetëdijes për një identitet të veçantë, themeli i të cilit është alfabeti i standardizuar shqip”, thuhet në urimin e Siljanovska-Davkovës.
Duke iu referuar Kongresit të Manastirit të vitit 1908, presidentja vlerëson se kjo ngjarje historike shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin e kombit shqiptar, duke hapur një etapë të re në arsim dhe kulturë përmes përdorimit të një gjuhe të njësuar. “Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një pikë kthese dhe një fazë të re në zhvillimin e kombit shqiptar, përmes arsimit dhe kulturës në një gjuhë shqipe të njësuar”, thekson presidentja.
Në mesazhin e saj, Siljanovska-Davkova i kushton vëmendje të veçantë rolit që luan gjuha në ruajtjen e trashëgimisë historike dhe shpirtërore të një populli.
Sipas saj, gjuha përfaqëson shenjën themelore të veçantisë kombëtare dhe njëkohësisht instrumentin më të fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive. “Gjuha është tipari themelor i veçantisë kombëtare. Ajo është instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive të një populli, të trashëgimisë së tij shpirtërore dhe të përvojës së tij. Gjuha shqipe ju ka mundësuar juve, shqiptarëve, të shprehni respektin ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësinë ndaj pasardhësve”, thekson Siljanovska-Davkova.
Presidentja nënvizon gjithashtu se shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të pranisë dhe pjesëmarrjes në jetën institucionale e shoqërore të Maqedonisë së Veriut. “Në shoqërinë multikulturore maqedonase dhe në sistemin politik demokratik, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të ekzistencës në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike, argëtuese dhe të përditshme”, thuhet në mesazhin e saj.
Një pjesë të rëndësishme të urimit, presidentja ia kushton nevojës për ndërtimin e një shoqërie ku dallimet etnike, gjuhësore dhe kulturore të respektohen si vlera të përhershme.
Ajo thekson se uniteti shoqëror nuk duhet të nënkuptojë mohimin e diversitetit, por njohjen dhe respektimin e tij. “Më lejoni që, si presidente e shtetit, të shpreh qëndrimin se detyra jonë e përbashkët është të ndërtojmë një shoqëri në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë, por do t’i respektojë dallimet, duke i trajtuar ato si vlera të përhershme shoqërore”, deklaron Siljanovska-Davkova.
Në përfundim të mesazhit, presidentja shpreh dëshirën që 22 Nëntori të mos mbetet vetëm një ditë përkujtimi dhe krenarie historike, por të shërbejë edhe si nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit, shkencës dhe kulturës në gjuhën shqipe. “Uroj që 22 Nëntori të mos jetë vetëm ditë kujtimi, feste dhe krenarie, por edhe nxitje për arritje të reja arsimore, shkencore dhe kulturore në gjuhën shqipe!”, përfundon urimin presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.