Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke shprehur mirënjohje për Rilindasit dhe figurat e shquara që kontribuuan në njësimin e alfabetit 118 vite më parë, në Kongresin e Manastirit. Ai e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik për identitetin dhe bashkimin kombëtar shqiptar. Në mesazhin e tij, Meta theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit kombëtar.

120-vjetori i Shoqatës “Tomorri”, Demo: Rilindasit punuan që Shqipëria të njihej në Europë, sot kemi përgjegjësinë ta bëjmë shtet europian

Reagimi i Metës:

“Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të bukur shqipe!

Një gjuhë e shkruar me gërma gjaku dhe sakrifica heroike të panumërta.

Mirënjohje dhe nderim përjetë kolosëve të gjuhës shqipe dhe Rilindasve të kombit, të cilët 118 vjet më parë, në Kongresin e Manastirit, njehsuan alfabetin, themelin e identitetit dhe bashkimit tonë kombëtar, duke i paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqipja është rrënja jonë, historia jonë dhe shpirti i kombit shqiptar. Një gjuhë e larë me gjak, e mbajtur gjallë me sakrifica dhe e trashëguar si amanet i shenjtë brez pas brezi. Krenarë për gjuhën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar!”