Gazetari i portalit TetovaSot, Nevrij Ademi, ka folur sot në Klan Kosova për ndarjet politike mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Alfabetit Shqip në Manastir.

Ademi ka kritikuar të dy kryeministrat, duke thënë se, sipas tij, as Rama dhe as Kurti nuk kanë bërë asgjë konkrete për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ai veçanërisht ka akuzuar Kurtin se ka ndikuar në përçarjen e shqiptarëve përmes krijimit dhe mbështetjes së subjekteve të reja politike.

“Kryeministri i Kosovës, njëjtë si kryeministri i Shqipërisë, nuk ka bërë asgjë më të mirë, përveçse na ka përçarë si shqiptarë. Na ka përçarë duke krijuar parti të reja, bëri ndarje në emër të bashkimit. Paramendoni, edhe Albin Kurti ka deputetë, por janë të pafuqishëm përballë kryeministrit Mickoski”, u shpreh Ademi për Klan Kosova.

Gazetari i TetovaSot ka folur edhe për gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ata sot ndihen të pasigurt edhe në shprehjen e identitetit të tyre kombëtar.

Sipas Ademit, shqiptarët kanë frikë të festojnë me flamuj kombëtarë, pasi, siç u shpreh ai, nuk ndihen të mbrojtur nga institucionet e vendit.

Ai ka kritikuar gjithashtu pjesëmarrjen e subjektit politik të mbështetur nga Albin Kurti në Qeverinë aktuale, duke e lidhur këtë me pozitën politike të shqiptarëve në vend.

“Nuk duhet të harrohet se në këtë Qeveri të VMRO-së është edhe partia e Albin Kurtit dhe na ka sjellë në këtë derexhe”, deklaroi Nevrij Ademi për Klan Kosova.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume