Një këngëtare iraniane dhe katër anëtarë të ekipit të saj të produksionit kanë marrë secili nga 74 goditje me kamxhik, pasi u dënuan për “cenim të moralit publik përmes prodhimit dhe publikimit në internet të përmbajtjeve të pahijshme dhe imorale”, raportoi një faqe interneti iraniane.
Këngëtarja Parastoo Ahmadi dhe katër personat e tjerë janë dënuar gjithashtu me dy vjet ndalim të aktivitetit artistik dhe muzikor, si dhe të udhëtimit, citohet të ketë thënë avokati Mostafa Nili.
Çështja nisi pas publikimit të një videoje në YouTube, në dhjetor të vitit 2024, ku Ahmadi shfaqej duke performuar pa hixhabin e detyrueshëm, së bashku me muzikantë meshkuj, në qytetin e Komit, në jug të kryeqytetit, Teheran. Këtë e bëri të ditur organizata norvegjeze për të drejtat e njeriut, Hengaw.
Qeveritë perëndimore dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kanë dënuar praktikën e goditjes me kamxhik, duke e cilësuar atë si torturë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Rregullat që detyrojnë gratë të mbajnë hixhabin u kthyen në një pikë të nxehtë të protestave në vitin 2022, pas vdekjes në paraburgim të gruas kurde iraniane, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nën akuzën e shkeljes së kodit të veshjes.