Pas disa muajsh larg ekranit, Bora Zemani duket se është gati të rikthehet në televizion. Moderatorja zbuloi gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra” se do të jetë në krye të një sezoni të ri të “Shqiptarët për Shqiptarët”, duke konfirmuar kështu rikthimin në Top Channel.
E pranishme në festën e 25-vjetorit të televizionit, Bora foli për emocionet e rikthimit dhe për faktin se i kishte munguar puna në ekran.
“Me zor po pres, se më ka munguar shumë ekrani. Kohë e gjatë kjo për mua”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se pauza televizive ka qenë më e gjatë nga sa ishte mësuar.
Pas disa sezonesh në Top Channel dhe projekteve të ndryshme televizive, nga “Për’puthen” deri te “Shqiptarët për Shqiptarët”, këtë shtator Bora nuk u rikthye me një projekt të ri në ekran.
Kjo mungesë nxiti edhe më shumë aludimet për të ardhmen e saj profesionale, ndërsa në media qarkulluan zëra se moderatorja mund të largohej nga Top Channel për t’u transferuar në Vizion Plus.
Megjithatë, duket se rikthimi i saj do të ndodhë pikërisht aty ku publiku është mësuar ta shohë prej vitesh. Tashmë mbetet për t’u parë se kur do të nisë sezoni i ri i “Shqiptarët për Shqiptarët”.