Kur kontributi kolektiv shitet si meritë personale – fenomeni i vetëshpalljes si veprimtar kombëtar!
Në komunitetin shqiptar në Danimarkë ka njerëz që për dekada kanë punuar dhe sakrifikuar për çështjen kombëtare. Shumë prej tyre kanë dhënë kontribut të çmuar, pa kërkuar lavdi, tituj apo mirënjohje. Por, krahas tyre, kohëve të fundit po shohim edhe një dukuri tjetër: individë që përmes librave, artikujve dhe paraqitjeve në rrjetet sociale përpiqen të krijojnë një imazh të madh për veten, duke u paraqitur si figura të rëndësishme të veprimtarisë kombëtare. Një nga emrat që lidhet me këtë debat në komunitetin shqiptar në Danimarkë është edhe Xhemil Zeqiri.
Secili ka të drejtë të shkruajë libra dhe të shprehë mendimet e veta. Por, kur dikush paraqitet si publicist apo veprimtar me merita të veçanta kombëtare, është e drejtë të pyetet se cilat janë kontributet konkrete që i mbështesin këto pretendime. Aktivitetet e ish-strukturave të LPK-së në Danimarkë ishin rezultat i punës dhe sakrificës së shumë veprimtarëve, jo i një individi të vetëm. Prandaj, paraqitja e tyre si arritje personale është e padrejtë ndaj të gjithë atyre që kontribuuan.
Po aq e rëndësishme është që pretendimet për kontribut kombëtar të mbështeten në fakte dhe në një histori të dëshmuar. Edhe letrat e hapura drejtuar kryeministrit Edi Rama për çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në trojet e tjera shqiptare janë pjesë e debatit publik. Por, çështja kombëtare është shumë më e madhe se ambiciet personale të kujtdo dhe nuk duhet të përdoret si mjet për vetëpromovim.
Në komunitetin shqiptar në Danimarkë ka ende shumë njerëz që e njohin mirë historinë e organizimit dhe të veprimtarisë kombëtare ndër vite. Ata i mbajnë mend aktivitetet, pjesëmarrësit dhe sakrificat e bëra. Askush nuk mund të pretendojë se e përfaqëson i vetëm këtë histori. Xhemil Zeqiri, sikurse çdo person tjetër që prezantohet me merita të tilla, duhet të bëjë dallimin ndërmjet asaj që ka bërë personalisht dhe asaj që është realizuar në bashkëpunim me të tjerët.
Nuk kam asgjë kundër askujt që shkruan, boton apo dëshiron të njihet për punën e tij. Por kam kundërshtim kur kontributi i shumë njerëzve lihet në hije dhe paraqitet si meritë e një individi të vetëm. Edhe ata që nuk kanë shkruar libra, nuk kanë kërkuar tituj dhe nuk janë paraqitur në publik, kanë vendin dhe meritat e tyre në këtë histori. Historia nuk është pronë private. Veprimtaria kombëtare dëshmohet me punë, sakrificë dhe fakte, jo me vetëlavdërim. Meritat e të tjerëve nuk mund të bëhen biografi personale!
Havzi Sulejmani – Xhaxhi
Kopenhagë, 24 nëntor 2026