“The Guardian” zbardh dokumentet sekrete: Sa është numri i të vrarëve rusë në luftën me Ukrainën. Mbi 11 milionë certifikata vdekjeje, si u zbulua numri i rusëve të vrarë në luftë
Më shumë se 700 mijë ushtarë rusë dyshohet se janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë, sipas një vlerësimi të ri të publikuar të hënën nga mediat e pavarura ruse Meduza dhe Mediazona. Shifra tregon përmasat e mëdha të humbjeve të Rusisë në gati pesë vite luftë, ndërsa presidenti Vladimir Putin nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm t’i japë fund konfliktit. Vlerësimi është përgatitur duke analizuar të dhëna të reja të siguruara nga dy grupe hakerash pro-Ukrainës, të cilët kanë arritur të hyjnë në sistemet e Shërbimit Shtetëror të Statistikave të Rusisë, Rosstat. Të dhënat u publikuan fillimisht nga grupet Cyber Partisans of Belarus dhe Silent Crow dhe më pas u vunë në dispozicion të mediave.
Meduza dhe Mediazona prej vitesh kanë ndjekur numrin e ushtarëve rusë të vrarë në luftë, duke analizuar kryesisht regjistrat e trashëgimisë dhe njoftimet e vdekjeve. Informacionet e reja u kanë mundësuar të përdorin edhe të dhëna nga regjistri civil rus dhe sistemet shtetërore të shkëmbimit të informacionit, të cilat furnizojnë me të dhëna institucionin e statistikave.
Nga analiza rezultoi se deri në shtator shteti rus kishte regjistruar të paktën 490 mijë vdekje ushtarësh. Megjithatë, regjistrimi i viktimave në sistemet shtetërore shpesh bëhet me vonesë të madhe. Kjo do të thotë se të dhënat nuk përfshijnë shumicën e vdekjeve gjatë vitit 2026 dhe një pjesë të konsiderueshme të atyre të vitit 2025. Për të përllogaritur numrin e përgjithshëm të viktimave, dy mediat përdorën metoda statistikore për të parashikuar se sa mund të ishte shifra reale nëse të gjitha vdekjet do të ishin regjistruar në kohë. Në llogaritje u përfshinë edhe personat e shpallur të zhdukur, të cilët me shumë gjasë kanë humbur jetën në front. Sipas këtij projeksioni, numri i ushtarëve rusë të vrarë mund të ketë kaluar 700 mijë.
Megjithatë, The New York Times thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur të dhënat dhe analizën e përdorur për këtë vlerësim. Numri i saktë i viktimave në luftë është shumë i vështirë për t’u përcaktuar dhe shpesh mbetet objekt diskutimi edhe shumë vite pas përfundimit të konflikteve. Vlerësimi i publikuar përfshin vetëm të vrarët dhe nuk jep të dhëna për numrin e ushtarëve të plagosur.
Kremlini ka shmangur publikimin e të dhënave të plota për humbjet ushtarake, duke bërë që opinioni publik rus të ketë informacion të kufizuar për koston njerëzore të luftës. Sipas analizës, censura, propaganda dhe represioni kanë ndihmuar autoritetet të kufizojnë informacionin kritik dhe pakënaqësinë në vend. Megjithëse Rusia po humbet më shumë ushtarë sesa arrin të rekrutojë, Moska pritet të marrë rreth 409 mijë ushtarë të rinj gjatë vitit 2026. Këtë vlerësim e bëri Michael Kofman, studiues i lartë në Carnegie Endowment for International Peace, i cili theksoi se autoritetet ruse vazhdojnë të ofrojnë shpërblime të konsiderueshme financiare për personat që pranojnë të shkojnë në luftë.
Sipas Kofman, ritmi i rekrutimit i lejon Rusisë të përballojë humbjet dhe të vazhdojë luftimet, por jo domosdoshmërisht të përmirësojë pozitat në fushëbetejë. Nëse Moska nuk ndryshon mënyrën se si i përdor trupat e saj, mund të përballet gradualisht me mungesë të këmbësorisë së nevojshme për sulmet.
Ndërkohë, të dhënat për humbjet ukrainase mbeten më të pakta dhe më pak të besueshme. Sipas vlerësimeve të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, deri në qershor rreth 150 mijë ushtarë ukrainas kishin humbur jetën në luftë. Ndërsa dy faqe interneti që ndjekin informacionet publike për viktimat ukrainase, Lostarmour.info dhe UALosses.org, e vlerësojnë numrin e ushtarëve të vrarë dhe të zhdukur në më shumë se 200 mijë. Në përgjithësi, vlerësohet se Rusia ka pësuar humbje shumë më të mëdha ushtarake se Ukraina, edhe për shkak se forcat që janë në ofensivë zakonisht përballen me më shumë viktima. Ekspertët ushtarakë kanë vënë në dukje gjithashtu se taktikat e përdorura nga ushtria ruse kanë rritur numrin e humbjeve në fushëbetejë.